Kontrabanda me naftën, SPAK i kërkon ‘llogari’ ministres Anila DENAJ për zhdukjen e gjobës 104 milion euro ndaj ‘Bankers Petroleum’

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes një shkrese zyrtare i kërkon informacion ministres së Fiancave Anila Denaj për zhdukjen nga sistemi të një gjobe ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.

Pak ditë më më parë, në zyrën e Protokollit të Ministrisë së Financave, në adresë të ministres Anila Denaj, ka mbërritur një kërkesë e SPAK, për informacion, lidhur me arsyet dhe procedurën e heqjes së gjobës doganore 104 milionë Euro, vendosur ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.

Sipas dosjes, kompania “Bankers Petroleum” është gjobitur nga 3 inspektorë të Hetimit Doganor, pas Akt-Kontrollit Nr. 290345 Prot., datë 13.12.2016 dhe Akt Kontrollit e Proces-Verbalit të datës 22.09.2017, megjithëse refuzoi të lejonte kontrollin në depot doganore.

Vendimi për gjobë, është marrë i mbështetur në prova për evazion fiskal e kontrabandë, nëpërmjet fshehjes së prodhimit dhe import-eksporteve fiktive, që “Bankers Petroleum” bënte e vazhdon të bëjë me depot doganore, shkruan Pamfleti.

Pas ankimesh e trajtimesh gjyqësore, gjoba me vlerë totale 104 milionë Euro, ka qëndruar në fuqi si “Titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u paguar nga “Bankers Petroleum”, për shkak se institucionet ligj-zbatuese nuk janë lejuar të vepronin me masa shtrënguese (sekustro bankare).

Më 17 korrik 2019, nga regjistri doganor, në rubrikën “Debitorët dhe gjobat”, rezultoi se ishte hequr gjoba 104 milionë Euro, detyrim i pashlyer nga kompania “Bankers”, pa dhënë asnjë sqarim publik.

Edhe pse ky krim financiar u mbajt sekret, u zbulua se ish-Drejtori i Doganave, Arlind Gjokutaj, në shkelje të plotë ligjore, kishte fshirë gjobën jo me vendim gjyqësor apo me ligj amnistie, por me Rekomandim Nr. 13646 Prot., datë 17 korrik 2019 të Ministres së Financave Anila Denaj.

Fakti që gjoba 104 milionë Euro, u fshi me “shkresë-rekomandim” të ministres dhe zbatim antiligjor të Drejtorit të Doganës, është konstatuar e cilësuar si skemë e paramenduar dhe e organizuar krimi financiar, në favor të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndaj SPAK ka marrë në dorë këtë rast dhe ka kërkuar “llogari” nga institucionet e lartpërmendura për zhdukjen e gjobës dhe procedurën e heqjes së saj, shkruan Pamfleti.

bankers.png
bankers1.png

Back to top button
LAJMET E FUNDIT