Ndërkombëtarët në unision:Të shmanget dhuna në protestë!

Pas ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, ka ardhur reagimi edhe i ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Ai ka vënë theksin që dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët.
“Shumë i pikëlluar nga ngjarjet e ditëve të fundit. Mendimet e mia janë me familjen e Klodian Rashës. Tani është thelbësore që kjo ngjarje tragjike të hetohet si duhet dhe të vendoset drejtësia, dhe shqetësimet e shprehura paqësisht të dëgjohen. Por dhuna duhet të shmanget në çdo rast, nga të gjitha palët”, shkruan Soreca.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodjan Rasha.
Bucci teksa shpreh ngushëllimet për familjen shkruan se është kundër përplasjeve dhe dhunës.
“I trishtuar nga ngjarjet e ditëve të fundit. I gjendem pranë familjes së Klodian Rashës dhe jam i sigurt se drejtësia do të vihet në vend. Por jam kundër përplasjeve dhe dhunës: e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kështu funksionon në demokraci”, ka shkruar Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.