Prezantohet raporti për Shqipërinë, shqetësim përplasjet e forta politike, eurodeputetët kundër kushteve të vazhdueshme

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian, ditën e djeshme ka prezantuar draft raportin për Shqipërinë. Hapja e negociatave është në pikëpyetje dhe kjo ka shkaktuar debate mes euro deputetëve. Të shumtë kanë qenë euro deputetët që e mbështesin integrimin në BE por ka dhe nga ata që janë skeptikë. Reporterja për Shqipërinë, Isabel Santos teksa ka prezantuar raportin ka prekur dhe çështjen e polarizimit.

Ajo u shpreh se edhe pse vendi është tejet i polarizuar nuk duhen bërë ndërhyrje, por duhet të vendoset theksi tek reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit. “Vendi është tejet i polarizuar, por ne nuk duhet të ndërhyjmë në të. Në draftin që kam propozuar ka dy linja logjike.

Kërkesat që ne i kemi për vendin duhet të vazhdojnë. Duhet të vazhdojë lufta ndaj korrupsionit. Reforma gjyqësore duhet të përmbushet”, u shpreh Santos. Ajo tregoi se shumë të rinj e kanë humbur shpresën dhe largohen nga Shqipëria. Sipas saj atyre duhet t’iu jepen arsye për të qëndruar në Shqipëri dhe për të mos e braktisur atë. Reporterja tha se është dekurajuese që Shqipëria ka ngelur kaq pas në rrugën e integrimit. “Të gjitha palët janë të vetëdijshme.

Një pjesë e madhe e të rinjve po largohet nga vendi. Duhet të krijojmë kushtet e duhura për të qëndruar. Partitë politike kanë punuar shumë për të arritur në një marrëveshje. Palët arritën të tejkalojnë ndasitë. Shqipëria ka ngelur mbrapa në rrugën e integrimit dhe kjo është dekurajuese”, tha ajo.

Reagimet e europarlamentarëve

Eurodeputeti Hermann Tertsech po ashtu foli për polarizimin ku tha se duhet të ndërmerren politika që të përcjellin shpresë në rajon ku progresi të shihet dhe nga vetë shqiptarët. Ai përmendi se shqiptarëve u duhen dhënë synime për të arritur në mënyrë që gjërat të përmirësohen. “Ka polarizim në të gjithë rajonin. Ne duhet të ndërmarrim politika që japin shpresë në rajon. Ne duhet tu japim qëllime të arritshme, ku ata mund ta shohin progresin edhe vetë. Pandemia ka shkaktuar sërish frikë. Duhet të fillojmë t’i japim popullit shqiptar synimet që mund t’i arrijë, në mënyrë që të bëjnë përmirësime.

Mund ta bëjmë këtë si stimul për të përmirësuar situatën në Shqipëri”, tha ai. Simecka Michal tregoi se rruga e Shqipërisë në BE është duke u ndikuar negativisht nga polarizimi politik. Sipas saj reforma zgjedhore dhe bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. “Rruga e Shqipërisë në BE është ndikuar negativisht nga polarizimi politik. Reforma zgjedhore dhe përfshirja e të gjithë liderëve politikë shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi i tyre është shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Michal. Për çështjen e vendosjes së kushteve Thomas Waitz u shpreh se nuk është aspak e drejtë të vendosen kushte, por duhen bërë çmos që ky vend të ndihmohet që të eci përpara për hapjen e negociatave.

“Me vazhdimin e negociatave nuk do të thotë që ata do të hyjnë në BE por do të thotë që do ti ndihmojmë ata të krijojnë dhe të arrijnë standardet e duhura, që të krijojnë demokracinë që kemi nevojë të shohim. Nuk është aspak e drejtë që të vendosen herë pas here kushte. Le të ndihmojmë këtë vend të jetë sa më shpejt të jetë e mundur në Bashkimin Europian”, përfundoi ai. Europarlamentari David Lega ngriti shqetësimet e rezultateve që duhen parë nga Shqipëria. Sipas tij Shqipëria e meriton të vazhdojë rrugën e integrimit dhe pse ka shumë punë për të bërë me reformat të cilat deri diku nuk janë arritur. “Pavarësisht rrugës së gjatë të bërë nga Shqipëria ka ende shumë reforma të parritura. Kemi nevojë të shohim rezultate të prekshme nga qytetarët. Shqipëria meriton të vazhdojë në rrugën e integrimit europian”, u shpreh ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT