Do të zbulohen emrat e pronarëve të kompanive “offshore” në Shqipëri

Ministria e Financave po punon për hartimin e një ligji të ri, që synon të krijojë një regjistër i cili do të zbardhë emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (offshore) me aktivitet në Shqipëri, në linjë dhe me rekomandimet e raportit të fundit të Moneyval, mekanizmi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas Monitor, fillimisht u mendua që ky regjistër të krijohej brenda kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon Qendra Kombëtare e Biznesit, por më pas u pa e nevojshme që të punohej për hartimin e një ligji të veçantë për të cilin po merret dhe asistencë ndërkombëtare.

Një nismë e ngjashme është zbatuar në vitin 2018 edhe nga Serbia.
Ligji synon krijimin e një regjistri që do të listojë pronarët përfitues të kompanive të regjistrura offshore, të cilët zotërojnë mbi 25% të kapitalit fillimisht dhe më pas, kufiri mund të ulet në 10%.Pronësia do të jetë publike, e aksesueshme përmes internetit, ashtu siç është sot për kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku cilido mund të hyjë në ekstraktin e një subjekti dhe të shikojë të gjitha të dhënat mbi këtë subjekt, nga data e krijimit, vendimet e ndryshme dhe deri tek bilancet financiare.Ky regjistër do të bëjë transparencë dhe mbi origjinën e llogarive bankare, por ky informacion do të jetë konfidencial dhe i aksesueshëm vetëm nga disa institucione.Kjo nismë synon të bëjë transparencë mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale, me pronësi të panjohur, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta vitet e fundit.Shumë sipërmarrje të regjistruara në këto parajsa, kryesisht në ishujt Cayman kanë fituar koncesione dhe administrojnë burimet e naftës në vend. Debati më i fundit lidhej me DH Albania, që fitoi një pjesë të tenderit për unazën e madhe, tender që u anulua kur rezultoi se kompania kishte falsifikuar dokumentet.Shoqatat e biznesit kanë kërkuar që të sanksionohet me ligj që kompanitë offshore të mos lejohen të marrin pjesë në tendera./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT