Ambasadorja Amerikane Yuri Kim kritikon portalin e Bushatit: Po bën artikuj jokorrektë!

Në një reagim në Twitter, e zgjedhura amerikane në Tiranë, Yuri Kim është përplasur në distancë me portalin Lapsi.al, duke e kritikuar për botim të artikujve në mënyrë jokorrekte.
Bëhet fjalë për artikullin e botuar ditën e djeshme, ku Lapsi.al shkruante se Ambasadorja Kim dhe gazetari Carlo Bollino po mbrojnë qeverinë duke dënuar ish pushtetarët e Partisë Demokratike.
Lapsi e cilësonte këtë një absurditet të ambasadores Kim, e që ishte mbështetur edhe nga gazetari Bollino.
“Urojmë që amerikania Yuri Kim mos jetë në një mendje me italianin Bolino edhe për sa i përket mënyrës se si u ekzekutua Klodian Rasha. Në gazetën e drejtuar prej tij si lajm kryesor u shfaq “fakti” se viktima qe i armatosur me një pistoletë në dorë dhe ia drejtoi atë policit.” – thuhej në qëndrimin e Lapsit.
Menjëherë ka ardhur reagimi i Ambasadores amerikane, e cila në një postim në Twitter thotë se artikulli i Lapsit është jokorrekt. Yuri Kim ka postuar shkrimin e Lapsit dhe ka renditur 4 pika të qëndrimit të saj.
Pas këtij reagimi të Kim, portali Lapsi.al e justifikoi qëndrimin me vijën e saj editoriale. Sipas Lapsi, kjo qasje e Yuri Kim është version i servirur nga rilindja, madje nga ekstremistët e rilindjes.
“Qëndrimi i saj vjen e bëhet tërësisht i skajshëm kur ajo pranon që ta etiketojë opozitën e sotme me togfjalëshin “ata që kanë qenë në pushtet”. Fiks si përkrahësit më ekstremiste të rilindjes. Natyrisht, si çdo diplomat i vendit të tij, edhe znj,Kim është në të drejtën e saj të bëjë tifozllik për këtë të dojë apo për kë është udhëzuar nga eprorët e saj. Do të ishte idiotësi që dikush ti kërkonte asaj llogari për pozicionet që merr. Por ama do të ishte gjithashtu pa sens ti kërkohet mediave në përgjithësi, dhe Lapsi.al në veçanti, të bëjnë rolin e “idiotit të dobishëm” që sillet sikur nuk i dallon këto preferenca. ” – godet Lapsi.al, ambasadoren Amerikane Yuri Kim.
Në fund, në artikullin e saj, Lapsi flet edhe për refuzimet e vizave që bën Ambasada Amerikane, për udhëtimet drejt SHBA-së, e që sipas saj, ato janë preferenciale.
Gazeta Shqip