VIDEO/ Protestuesit tentojnë të futen në Kuvend, Policia përdor gaz lotsjellës

Policia në Shqipëri ka përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën e protestuesve që u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, përderisa brenda tij po mbahej seancë plenare.

Policia përdori këtë masë pasi protestuesit u munduan të çajnë kordonin policor dhe të futen brenda ndërtesës së Kuvendit.

Ata më herët hodhën tymuese në drejtim të policisë dhe dogjën goma, teksa kërkuan dorëheqjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe largimin e Qeverisë së tij.

Organizatorët e kësaj proteste, partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, disa ditë më parë dogjën mandatet e deputetëve dhe dhanë zyrtarisht dorëheqje nga postet, dhe u zotuan se do të vazhdojnë të protestojnë deri në rënien e Qeverisë.

Qindra qytetarët që u mblodhën të enjten pasdite para ndërtesës së Parlamentit u thirrën nga opozita në protestë vetëm pak orë më herët, kur kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi për një seancë plenare, ku do të miratohen disa ligje që kanë të bëjnë me organet e reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Policia e Shqipërisë përmes altoparlantëve u ka bërë thirrje protestuesve të mos ndërmarrin akte të dhunshme dhe të ruajnë qetësinë.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, duke folur para protestuesve tha se “Qeveria edhe sot bëri një akt tinëzar me mbajtjen e seancës”.

“Banda e hajdutëve edhe sot e bëri aktin e saj tinëzar dhe të paligjshëm. Prapa asaj godine nuk është më Kuvendi i Shqipërisë, por banda e krimit dhe e hajdutëve që ka marrë peng Shqipërinë”, tha Basha.

Nga brenda Kuvendit, ku kanë mbetur vetëm deputetët e Partisë Socialiste me 78 ulëse, u kritikua protesta e opozitës.

“Nuk fitohet pushteti me dhunë, por me vota”, tha Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së.

Opozita e Shqipërisë kërkon që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të largohet dhe të krijohet një Qeveri tranzitore deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT