“Rama ka marrë shqiponjën e federatës ruse?” Përgjigja e historianit
Shqiponja dykrenare, simbol i shqiptarëve anembanë globit, duket se është e destinuar për të qenë temë e debateve herë pas here. Kësaj radhe një debat është hapur në opinion publik ku kryeministri akuzohet se e ka ndryshuar shqiponjën e zezë në flamurin e kuq, duke e bërë të bardhë, madje ka nga ata që e krahasojnë me shqiponjën ruse.
Për të folur pikërisht për këtë çështje, ishte në “A show” në News24 historiani Pëllumb Xhufi, akademik, profesor.
I pyetur nëse ka sens që tek shqiptarët të ketë një lloj shqetësimi se çe gjen shqiponjën e flamurit, Xhufi tha se ka sens por nuk duhet ekzagjeruar.
“Ne kemi shqiponjën më të bukur, se nuk jemi të vetmit që kemi shqiponjën me dy krerë. Ne e kemi marrë në një formë që nuk puqet fare as me sllavët, as me gjermanët, as me austriakët, as me serbët e malazezët e as me rusët. Shqiponja është një simbol që mjedisin e natyrshëm e ka tek flamuri. E ka cilësuar Barleti, për shqiponjën në flamurin e Skënderbeut. Ky flamur i cikluar në epokën e Rilindjes. Ata e rindërtuan, e riformuluan flamurin në bazë të thënies së Barletit dhe bënë një shqiponjë të shkëlqyer. Që nga ajo e shoqatës Vatra, Drita janë shqiponja të bukura, të zeza dhe me krahët e hapur, të shpalosur, dinamike po krejt e veçantë”, tha Xhufi.