Cili do të jetë profili i ministrit të Brendshëm, dikasteri që ka “ngrenë” më shumë drejtues prej vitit ‘97

Paralelisht me zhvillimet e fundit në vend, kryeministri Edi Rama ka nisur negociatat për emrin e ministrit të ri të Brendshëm, detyra e të cilit (apo së cilës) nuk do të jetë aspak e lehtë nisur nga një situatë e ndezur në Tiranë kryesisht nga të rinj në moshë dhe zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Prill.

Ministria e Brendshme është dikasteri i vetëm nga ku kanë qarkulluar mjaft emra kryesisht figura politike si nga të majtë ashtu edhe të djathtë, me raste përjashtimore si ajo Dritan Demirajt dhe Sandër Lleshajt.

Më jetëgjati ndër vite si ministër, nëse do t’i hedhim një sy drejtimit të këtij dikasteri që prej vitit ‘97 është Saimir Tahiri me katër vjet ministër…

….Nga Korriku i vitit ‘97 stafetën e merr Neritan Ceka për ta dorëzuar në prill të një viti më vonë, pastaj Perikli Teta vetëm disa muaj, për të vijuar me Petro Koçin nga tetori ‘98 deri në Maj të një viti më vonë, pasuar me Spartak Poçin edhe ai do muaj, për të kaluar tek Ilir Gjoni që qëndron më shumë sesa paraardhësit nga nëntori 2000 deri në janar të 2002-it.

Më pas ministrinë e drejton për gjashtë muaj Luan Rama për t’ia lënë vendin Igli Toskës.

Në vitin 2005 vjen PD-ja në pushtet me ministër të Brendshëm, Sokol Olldashi, për dy vite. Më tej, ai jep dorëheqjen sepse garon për postin e kryebashkiakut të Tiranës. E merr stafetën Bujar Nishani nga marsi 2007 deri në shtator 2009, për të vijuar me Lulzim Bashën edhe ky i fundit thuajse dy vjet, për t’ia lënë drejtimin Flamur Nokës. Vjen PS-ja në pushtet me Saimir Tahirin Ministër i Brendshëm për katër vite rresht, e pason Fatmir Xhafaj vetëm për disa muaj, për t’ia lënë përkohësisht vendin Dritan Demirajt si pasojë e marrëveshjes së 17 Majit mes Ramës dhe Bashës.

Me fitoren e PS, rimerr detyrën Fatmir Xhafaj edhe për një vit deri në nëntor të vitit 2018. Nga ajo periudhë e deri para pak ditësh në krye të Ministrisë së Brendshme, ishte Sandër Lleshaj një figure me profil krejt tjetër nga ajo e paraardhësve.

Të shohim se cili do të jetë profili i ri i Ministrit të Brendshëm, ku nisur nga eksperienca e deritashme, kushdo do të vijë do ta ketë të vështirë të drejtojë afatgjatë në atë detyrë, për shkak të vetë rëndësisë që mbart ai institucion, ndërhyrjes dhe presionit të madh politik.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT