Përfaqësues të Vetëvendosjes i bashkohen protestës, Bojken Abazi: Të largohet dhe arrestohet Ardi Veliu, manipuloi vrasjen e Klodian Rashës

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi i është bashkuar protestës që po mbahet pas vrasjes së të riut, Klodian Rasha më 8 dhjetor nga forcat e policisë.
Në një intervistë për mediat, Abazi u shpreh se në vend është vendosur një shtet policor dhe protesta po zhvillohet pikërisht për këtë arsye dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Më tej, Abazi u shpreh se dorëheqja e Drejtorit i Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu është shumë pak, pasi ai duhet arrestuar pasi ka manipuluar provat për vrasjen e 25-vjeçarit.
“Këto protesta po zhvillohen kundër dhunës dhe pushtetit policor. Pamë që dha dorëheqjen ministri i Brendshëm, ndërsa kryepolici i shtetit policor, Ardi Veliu vijon të drejtojë policinë dhe kërkesa jonë është që të shkarkohet Veliu dhe kjo do të qetësonte disi gjendjen. Gjithashtu ne kërkojmë dhe arrestimin e tij, pasi ai është përpjekur për të manipulojë provat për vrasjen e Klodian Rashës”, tha Abazi