Del VIDEO/ Momenti kur efektivi qëllon mbi KLODIAN RASHËN, lëvizjet e fundit të 25 vjeçarit

Është publikuar video kur efektivi Nevaldo Hajdaraj ka vrarë me armë zjarri 25 vjeçarin Klodian Rasha.
Pamjet janë publikuar nga emisioni “Uniko”, ku shihen lëvizjet e 25 vjeçarit dhe momenti kur ai qëllohet për vdekje nga polici.
Në orën 01:11:27 mbërrin nga Lapraka një makinë private dhe pas saj direkt patrulla e policisë. Në orën 01:11:32 Klodian Rasha fillon të lëvizë pasi konstatoi praninë e policisë.
Në orën 01:11:39, efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj del nga makina së bashku me kolegun e tij, ndërsa Klodian Rasha fillon të shpejtojë hapat dhe të largohet në anën tjetër të rrugës. Menjëherë, efektivi i policisë vihet në ndjekje të tij në këmbë. Ora shënon 01:11:47.
Ora 01:12:28, në anën tjetër të rrugës duket në kamera punonjësi i policisë. Nevaldo Hajdaraj vijon ndjekjen me vrap të Klodian Rashës. Në ndihmë i shkon edhe kolegu i tij i policisë.
Në orën 01:13:13 shfaqen Klodian Rasha dhe një prej punonjësve të policisë duke vrapuar.
Ora shënon 01:14:27, është momenti kur polici qëllon me pistoletë. Ai ndodhet në rrugicën pranë banesës së Klodian Rashës.
Në orën 01:14:35 shfaqet polici Nevaldo Hajdaraj që hyn në rrugicë.
Ora 01:14:50, shoferi i makinës private që kishte ndaluar para makinës së policisë, del nga mjeti për të parë çfarë kishte ndodhur pak sekonda pasi dëgjoi të shtënat me armë zjarri.
Në orën 01:15:01, në hyrje të rrugicës shfaqet kolegu i Nevaldo Hajdaraj, efektivi me inicialet E.GJ.
E gjithë ngjarja në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda.