Merr tjetër rrjedhë ngjarja, kush është dëshmitari kyç me “Chevrolet ” që pa me sytë e tij vrasjen e Klodian Rashës

Sot shënohet një javë nga vrasja e 25-vjeçarit, Klodian Rasha që tronditi vendin. 25-vjeçari u qëllua për vdekje nga efektivi i Policisë së Shtetit, Nevaldo Hadëraj, pak pas mesnate. Publikimi i kamereve të sigurisë mbrëmjen e djeshme ka zbuluar një dëshmitar që deri më tani nuk kishte dalë “në dritë”.
Siç duket edhe nga kamerat e sigurisë në zonë, në vendngjarje ka qenë dhe një person i tretë, që ka shkuar i pari në vendngjarje, madje edhe para efektivit me iniciale E.GJ., i cili ishte në detyrë bashkë me Hadërajn. Bëhet fjalë për një person që kishte ndaluar para makinës së Policisë mejtin e tij tip “Shevrolet”. Ai u ndalua për verifikim nga dy efektivët dhe po kontrollohej deri në momentin që në pamje u shfaq 25-vjeçari Rasha.
Teksa efektivët u larguan në drejtime të ndryshme për të neutralizuar të riun e ndjerë, i ndaluari qëndroi në makinën e tij duke pritur efektivët. Ai ka dalë vetëm ku ka dëgjuar të shtënat me armë zjarri dhe është afruar i parë në vendin ku Rasha dergjej pa jetë prej plumbave të marrë. Ai është thirrur për të dëshmuar lidhur me ngjarjen, pasi është dëshmitar “kyç” për zbardhjen e gjithë ngjarjes së rëndë. Ai do të tregojë me përpikmëri gjithë çfarë ka parë atë natë, dëshmi që mund të lehtësojë ose rëndojë më tepër dënimin e efektivit të “Shqiponjave”.
Ndërkohë që deri më tani, Prokuroria ka marrë dëshminë e dy efektivëve që kanë qënë në turn, të cilët pretendojnë se kishin dëgjuar një zhurmë arme nga i riu dhe për këtë arsye, Hadëraj kishte shtënë. Gjithashtu edhe kamerat e sigurisë, do të japin “versionin e tyre” për ngjarjen.