Dosja e klubit Partizani, SPAK regjistron procedim për Berishën, Malltezin, Imamin e Gjunkshin

SPAK regjistron procedim penal për dosjen e klubit Partizani. Ky është njoftimi më i fundit që vjen ku bëhet e ditur procedimi përfshin mënyrën e pronave të klubit të Partizanit duke përfshirë në këtë hetim, ish-kryeministrin Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, dhëndrin e tij.
Pjesë e dosjes hetimore janë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, dhe ish-shefin e shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi.
Dosja hetimore përmban numër 287/2020 dhe janë ngritur dyshime mbi mënyrën se si kompleksi i klubit Partizani u tjetërsua, i cili gjatë qeverisjen Berisha ishte në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes.
Padia në SPAK për këtë privatizimin u paraqit nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Numri dy i PS-së ka paditur Jamarbër Malltezin, i cili ka përfituar nga privatizimi, Berishën, Imamin dhe disa kompani ndërtuese për shpërdorim detyre, ndikime të paligjshme, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion.
Sipas padisë, disa familje të vetëquajtura ish-pronarë, me përfaqësues ligjor dhëndrin e familjes Berisha, Jamarbër Malltezi, janë favorizuar në vitin 2008, ku brenda disa muajsh janë realizuar të gjitha procedurat e njohjes dhe kthimit të pronës në fjalë, në kushtet kur ish-pronarëve të tjerë u duhen disa dekada. Sipas Ballës, sot në këtë zonë dhëndri i Berishës ka ndërtuar kulla.
Në padi, kreu i grupit socialist ngre shumë dyshime edhe sa i takon vlerës së privatizimit. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë.
“Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blerë më pak se vlera e një gazoniere të shitur në atë zonë”, thuhet aty. Sipas Ballës, Jamarbër Malltezi si trashëgimtar kishte vetëm 1/64 pjesës të sipërfaqes rezulton të jetë 144m2 truall, por sot, sipas Ballës bashkë me tjetër ish pronar, ka mbi 60% të pronësisë së kullave të ndërtuara. “Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara nëpërmjet aksioneve të kompanisë Homeplan shpk, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre”, thuhet më tej në këtë padi.