Bujar Nishani gënjen publikisht, mohon tenderat e uniformave që zhvilloi si Ministër në 2011

Ish Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh edhe Ministër i Brendshëm ka sulmuar emisionin Top Story në Top Channel, me pretendimin se ndaj tij është bërë fakenews.
Top Story pasqyroi një dokumentar ku flitej për skandalet e Ministrave të Brendshëm, gjatë viteve të demokracisë. Mes tyre ishte edhe Bujar Nishani, i mpleksur në histori tenderash.
Tenderi që ka bërë më shumë bujë është i zhvilluar në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Bujar Nishani, gjatë qeverisë Berisha 2. Arsyeja ishte se Nishani lejoi të shpallte fitues kompaninë Gjergjefi për tenderin e 2,2 miliardë lekëve për blerjen e uniformave të policisë.
Ishte pikërisht kjo kompani që Drejtoria e Policisë e arrestoi përfaqësues të kësaj firme duke i akuzuar për ryshfetin 120 mijë euro dhe më pas i dha super tenderin e blerjeve të uniformave të policisë dhe jo vetëm kaq. Kompani veç të drejtës për katër vite i dha të drejtën që siguronte sërish tenderi tjetër, po për uniformat.
Në emisionin Top Story mbi investigimin e tenderave të ndryshëm jepej dhe denoncimi i deputetit të PS-së së asaj kohe, Gazmir Bizhga për tenderin e uniformave. Ai gjatë fjalës së tij në Parlament e cilësonte si skandaloz faktin që kompani që ishte në hetim për korrupsion t’i jepej sërish tenderi për uniformat (minuta 24-ët e emisionit).
“Pasi shpalli tenderin më 23 maj 2011, drejtoria e Policisë së Shtetit shpall fituesin e këtij tenderi Kë do të thoni ju? Gjergjefi shpk, Kjo është çudia më e madhe, se më pak se para 2 vitesh, po kjo drejtori e arrestoi me motivin se korruptoi me 125 mijë euro për tenderin175 milionë lekë, e ndërsa tani duke qenë në procesin gjyqësor i jep tenderin me 2,2 mld lekë për blerje uniformash, por jo më për dy vite, por për katër dhe me të drejtën të fitimit të tenderit edhe pas katër vitesh”, thekson Bizhga.
Bujar Nishani e ka marrë detyrën si Ministër i Brendshëm, për herë të dytë, në prill të vitit 2011 deri në qershor të 2012. Tenderi për uniformat e Policisë së Shtetit, me vlerë 2.2 miliardë lekë është bërë në 25 Maj 2011, me objekt “blerje uniforma për Policinë e Shtetit”. Kompania fituese ishte “Gjergjefi” Shpk, në datë 20 Qershor 2011, e konfirmuar kjo edhe sipas Agjencisë së Prokurimit Publik.
Pra, zoti Nishani mund ta mohojë këtë tender, ose mund ta ketë harruar, por faktet janë fakte. Tenderi për uniformat është bërë nga Ministri Nishani dhe fitues ka qënë Gjergjefi Shpk, e cila në të njëjtën kohë ishte në një gjyq për korrupsion, me një skandal për tenderin e uniformave të vitit 2009.
Për këtë kontratë të uniformave të lidhur me këtë kompani vlera e dëmit ekonomik përllogaritej 1,5 milionë euro. Këto janë fakte të cilat Bujar Nishani nuk mund t’i mohojë, sado që përpiqet sulmojë duke e cilësuar si fake news, moda e re kontestimit nga radhët e demokratëve.
Gazeta Shqip