Ministri shqiptar i Shkupit përplaset me Sofjen: Nuk pranojmë shantazhin bullgar

Bujar Osmani, shqiptari që drejton ministrinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut, e ka cilësuar shantazh qëndrimin e Bullgarisë, e cila ka vënë veton për nisjen e Konferencës së Anëtarësimit për në BE.
AFP publikon këtë deklaratë të dhënë nga Praga, ku Osmani tha se , “Maqedonia Veriore dënon ‘shantazhin’ në procesin e pranimit në BE”.
Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj vitin e kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje me Greqinë që ka bllokuar ambiciet e saj evropiane, por tani përballet me kundërshtim nga Bullgaria duke kërkuar njohjen e “rrënjëve Bullgare” të gjuhës, popullit dhe historisë së saj. “ Procesi evropian nuk duhet të çojë në shantazhe nga asnjë vend në Evropë apo Ballkanin Perëndimor, citon e përditshmja të ketë thënë Ministri i Jashtëm Osmani në një konferencë shtypi” në Pragë.
“Përpjekjet tona për të mbajtur marrëdhënie të mira me fqinjët tanë nuk shpërblehen”, tha ai, duke shtuar se “mosmarrëveshja me Bullgarinë do të kishte një ndikim negativ në të gjithë rajonin e Ballkanit”.
Bullgaria bllokoi bisedimet midis ministrave të BE për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e veriut në nëntor. Pas bisedimeve me Osmanin, Ministri i Jashtëm çek Tomas Petricek, tha se ai shpreson që një kompromis mund të gjendet deri në fund të vitit.
“Ka bisedime shumë intensive brenda BE-së se si të bëhet një hap përpara … Ne do të dëshironim të arrinim një kompromis këtë vit, tha Petriçek. BE, duhet të ruajë statusin e një partneri të besueshëm për vendet që zbatojnë reformat dhe bëjnë detyrat e shtëpisë”.
Duke mirëpritur mbështetjen e “26 vendeve” nga 27 vendet anëtare të BE, Osmani, tha se “mbështetja e vendeve evropiane është mënyra më e mirë për të rivendosur entuziazmin dhe besimin në proces”. Sipas tij, “mbështetja dhe përshpejtimi i procesit të integrimit është mënyra më e mirë për të përmirësuar marrëdhëniet midis fqinjëve”.
Shtypi francez i kushtoi pak vëmendje marrëdhënieve midis Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë në lidhje me veton Bullgare në fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE./GazetaShqip