Ndryshimet Kushtetuese të 2008: Kur “kryeburrat” e shpallën popullin dele

Nga Bedri Islami
Mos i besoni Kainit
Ai ka vrarë Abelin…
Është një dy vargësh që prej shumë kohe më ka mbetur në mendje. Nuk e di se si sot më ri-erdhi në mendje. Ndoshta kur gjithë këto ditë, si nga një e panjohur, opozita shpalli kredon e saj mohuese, dorëzimin e mandateve dhe kthimin e tyre në qytetarë të zakonshëm.Kisha besuar se deputetët janë qytetarë të zakonshëm, bile se presidenti i vendit është qytetari numër NJË, shefi i kuvendit – i dyti e kështu me radhë, kur befas mësova se deputetët deri tani nuk paskan qenë të tillë.Sidoqoftë, opozita, edhe pse e gjithë bota kishte qenë kundër, shpejtuan të bëjnë dorëheqjen e tyre nga kontrata me popullin dhe shkuan tek kontrata që kanë bërë me partinë.Nëse deri tani ka pasur njerëz që kanë dyshuar se njerëzit e sotëm të politikës kanë më parë popullin se sa partinë e tyre, tani e dinë të vërtetën. Një mendim halucionant, i ardhur në një mendje prej kaq dekadash e sëmurë, një të shtunë në mbrëmje, bëhet fakt të dielën në drekë nga gjithë një tufë deputetësh, të cilët, kur protestuan me 16 shkurt as që e kishin menduar se mund t’u ndodhte një gjë e tillë.Edhe sikur të kishte qenë ndryshe, sikur shefi i socialistëve, Rama, të kishte bërë të njëjtën thirrje, e njëjta gjë do të kishte ndodhur. Masa më e madhe e socialistëve, me ndonjë përjashtim a dy, do e kishin dhënë mandatin e tyre dhe do të kishin thënë po kështu: “dëgjuam zërin e popullit”.Tani opozita po pret vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që dihet se si do të jetë dhe do të nisë valën e protestave të reja, kësaj here të shtrirë në qytete të ndryshme, për të shkuar rishtas përballë selisë kryeministrore apo parlamentare.Zaret janë hedhur. Askush nuk e di se si do të jetë dita e nesërme e politikës sonë.Gjithherë, kur gjërat kanë shkuar në zgrip, ndërkombëtarët i kanë kapur për veshësh, i kanë ulur së bashku, duke e ditur dëshirën e tyre të vjetër për të qeverisur bashkë, dhe i kanë detyruar të nënshkruajnë një marrëveshje të re.Të dyja palët kanë thënë më pas se e kanë bërë paktin për hir të popullit.Çfarë afron opozita e tashme diçka që nuk e kemi ditur, një vizion krejt ndryshe, një pamje më të gjerë dhe më të hapur, njerëz e figura më të reja, ndaj të cilëve mund të besojmë dhe pas të cilëve mund të shkojmë?Cili prej tyre është më i besuari dhe vetë kjo opozitë a është në të vërtetë shansi i fundit i tri dekadave tranzicion, çka nuk ka zgjatur askund?Kush është i paprovuari i tashëm, që mund të ndjellë shpresën.Etashmenti politik i opozitës, çka është fillimi i besimit, është i njëjtë në masën më të madhe të tij. Deri në imtësi. Të ardhurit në PD-në e sotme nuk janë më të mirë se sa të larguarit. Në vend të Topallit është Vokshi, në vend të Bregut është Duma, në vend të Patozit është Gjata, në vend të Imamit është Bardhi…Asnjëri prej tyre nuk bën, as ata që erdhën dhe as ata që ikën. Një ndërthurje e shefit të partisë me njerëz besnikë rreth tij, të cilët, në humbjen e ardhshme, do të mund të krijonin rreth tij murin mbrojtës. Mos ndryshimi i Kodit Zgjedhor është si ato kanalet e mbushura me ujë para kështjellave.Në të gjithë tingëllimën politike të opozitës, në dy krahët e saj, ende nuk është artikuluar asgjë jetësore, e saktë dhe jashtë populizmit, sepse ëndrra e pushtetit është mbërthyer me dëshirën për ta patur atë sa më shpejt, sa më fuqishëm dhe të ethshëm.Disa nga figurat e opozitës së re janë aq të vjetra, sa që duket se kanë lindur aty dhe nuk shqiten. Figura publike që nuk kanë pas vetes as dy autobusë me votues dhe që thirren në emër të popullit. Të skajnuar nga besimi dhe që kërkojnë besimin e ri. Të gatshëm për të bërë rokada politike si ka ndodhur disa herë dhe të bashkuar për të qenë pjesë e pushtetit, edhe pse u takojnë dy qëndrimeve të ndryshme politike e kombëtare. Dule dhe Idrizi, njëri përfaqësues i interesave greke në Shqipëri dhe tjetri përfaqësues i interesave i çamëve, të dëbuar, vrarë e djegur nga pushteti grek i dikurshëm dhe të leçitur nga i sotmi, mund të bëjnë ujdi të përkohshme për hir të pushtetit. Kryemadhi e së majtës dhe Shehi i të djathtës mund të bëjnë paqe.Përse ndodh e gjithë kjo dhe përse kjo opozitë nuk është shansi i fundit:Për dy gjëra rrënjësore:Së pari, mjerisht, tani, në ndryshim me vitet e para pluraliste, partitë politike, megjithëse mund të quhen të majta, të qendrës, të djathta, radikale etj., nuk kanë asnjë ndryshim në programet e tyre. Ata janë të gjitha lesheli në vizionin që kanë, në alternativën që paraqesin, në konceptin për ekonominë, për nivelet e jetesës, për solidaritetin social, shtresat në nevojë.Kufiri mes së majtës dhe të djathtës në Shqipëri është fshirë dhe në vend të tij është kufiri i interesit.Ndaj nuk është çudi që një deputet zgjohet i djathtë dhe shkon të flerë i të majtës. Që një parti, e paraqitur si e majtë, bën gjumin në një shtrat dopio me të një parti të së djathtës.Duke u zhdukur ky kufi, në fakt është zhdukur edhe përfaqësimi i ideve dhe ka zënë vend përfaqësimi i interesit. Deputeti, i cili, nuk del më i pasur pas përfundimit të mandatit, quhet idiot. Jo i ndershëm apo idealist. Këto të fundit janë shpallur të padëshirueshëm në politikën tonë.Së dyti: ndryshimi i Kodit zgjedhor në natën dramatike të vitit 2008, kur shefat e partisë u bënë monarkë dhe shpallën popullin dele.Ndaj të gjithë e japin mandatin sa i thotë i pari i tyre.Një deputet që e ka fituar vetë atë, pavarësisht se nën siglën e kujt, ai nuk mund të dorëhiqet. Sepse ka dinjitet më shumë se të qenurit në listë, sepse në një të nesërme nuk mund të kërkojë përsëri mandat, sepse më shumë se sa partia, për të qenë deputet, ka vendosur emri i tij.Shefat nuk e ndryshojnë këtë ligj absurd, ndaj janë edhe të pabesueshëm dhe cinikë, pikërisht kur përdorin fjalën popull.Nëse opozita do e fillonte lëvizjen e saj pikërisht me ndryshimin e këtij ligji, atëherë mund të ndizej shkëndija e parë e besimit.Deri atëherë njerëzit ose do të shkojnë pas interesit të votës, që në fakt është votë e blerë, ose, çka është edhe më keq, do të rendin pas së keqes më të vogël.Dhe kjo opozitë as nuk ka qenë dhe as nuk është e keqja më e vogël./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT