Raporti i TI për Shqipërinë: Kapja e shtetit po pasuron politikanët dhe rrjetin e tyre me kosto të rënda për qytetarët. Institucionet publike dhe ligjbërja po përdoren dendur për interesa private

Kapja e shtetit në Shqipëri dhe rajon po “pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre me koston e rëndë të qytetarëve të zakonshëm”, thuhet në raportin e Transparency International për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Raporti vuri në dukje se reformat nuk adresojnë sa duhet ekzistencën e kapjes së shtetit, si dhe bazat apo motivimet e tij. Kjo po çon në një erozion të besimit të publikut ndaj institucioneve qeveritare, pasi ato gjithnjë e më shumë po përdoren për t’i shërbyer interesave private.
“TI” shprehet qartë se pavarësisht vendosjes si kusht kryesor për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian së shtetit të së drejtës, ajo mbetet një “sfidë kryesore” në vendet aspirante, përfshirë dhe Shqipërinë.
Një nga sfidat që pengon zbatimin e duhur të sundimit të ligjit është fisnorizmi dhe anëtarësia në klan apo familjen politike si kusht për akses në shërbime.
Raporti trajton edhe rastin e ish-Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako apo rastin e ish-Ministrit të Brendshëm Samir Tahiri.
Një çështje tjetër e madhe e ngritur në raportin e TI është çështja e ligjeve të personalizuara që krijohen për të favorizuar kompani private dhe individë të caktuar me firmën e shtetit.
Shqipëria është e para në rajon për sa i përket këtyre ligjeve, thuhet në raport.
“Ligjet e bëra me porosi vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike më mënyrë të ligjshme. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen, por pasi të legalizohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes, pasi përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit. ”
Një shembull i dhënë ishte ai i ligjit të lojërave të fatit të vitit 2015, pas të cilit duket se përfitojnë pesë kompani të lojërave të fatit që zotërojnë 80% të pjesës së tregut. TI shkruan se është e mundur që ligji jo vetëm që rriti fitimet e tyre por “mund të ketë lehtësuar pastrimin e parave”.