Covid-19, Rama i telefon Erdogan, i kërkon ndihmë: Mbërrijnë ekspertët turq

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një komunikim me Komitetin e Ekspertëve të Shqipërisë dhe Komitetin Shkencor të Turqisë, për masat për përballimin e pandemisë.

Në fjalën e mbajtur, kreu i qeverisë theksoi se e gjithë bota po përballet me një situatë të vështirë, teksa theksoi edhe njëherë se sistemi ynë shëndetësor i ka të gjitha kapacitete për të përballuar çdo situatë.

“Faktikisht, fjala ka ardhur tek shëndeti dhe fatet tona janë të ndërlidhura të gjitha bashkë. Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që kjo është një luftë që çdo vend nuk mund ta fitojë dot i vetëm.

Sa më shumë të komunikojmë, të bashkërendojmë fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat të njehsojmë qasjet kundër kësaj lufte duke kursyer aq jetë dhe aq plagë sa mund të kursehen. Jetët e humbura nga ky agresion janë të pashmangshme.

Jemi përpjekur të mësojmë nga të tjerët dhe 1 nga vendet që kemi ndjekur me vëmendje dhe kemi pasur komunikim të vazhdueshëm është dhe Turqia.

Besoj që garancia e kësaj lufte të përbashkët nuk janë politikanët, por janë ekspertët. Komiteti Ekspert i Turqisë ka një meritë, e cila falë ekspertizës ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes të këtij armiku të padukshëm.

Nuk ishin të pakta ato vende të mëdha me burime të mëdha financiare që u gjetën në situata të vështira. Turqia ndërmori një sërë masash të distancimit social edhe përpara se OBSH ta klasifikonte koronavirusin si pandemi botërore.

Sot ne jemi në kushtet kur mund të themi se sistemi është i qëndrueshëm. Nevoja për t’u hospitalizuar nuk ndeshet në pamundësi, sepse rrjeti i ngritur i strukturave që trajtojnë Covidin ka një strukturë zgjerimi sipas nevojës.

Kemi arritur të racionalizojmë burimet tona në funksion të motivimit maksimal të skuadrave të mjekëve dhe infermierëve që janë në vijnë e parë”, theksoi Rama.

Eksperti turk që e mori lajmin menjëherë pas kryeministrit Rama, bëri të ditur se grupi i ekspertëve turq mbërritën në Shqipëri menjëherë pas bisedës telefonike ndërmjet presidentit Erdogan me shefin e qeverisë shqiptare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT