Prokuroria s’jep datë për përfundimin e hetimeve ndaj Thaçit, avokati: Kjo është një gijotinë

Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë nuk ka dhënë datë për përfundimin e hetimeve ndaj katër përfaqësues të UÇK-së, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.
Prokurori në seancën e sotme ka deklaruar se është në interes që hetimet të mos ndërpriten për shkak se sipas tij mund të paraqiten dëshmitarë të rinj.
“Lidhur me pyetjen nëse ka datë për përfundimin e hetimeve dua të theksojë se këto përcaktohen nga procedurat e provave, përdorimi i deklaratave. Kjo siguron që përgatitja e shpejtë të mos ndërpritet, kjo përputhet edhe me përvojën e tribunaleve që hetimet të vazhdojnë. Kjo ka interes pse duhet hetimet të vazhdojnë duke u nisur nga shtimi i dëshmitarëve që deri tash kanë pasur frikë për dorëzimin e materialeve që kanë qenë të fshehura”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu shtoi se nuk janë në gjendje të japin një datë për përfundimin e hetimeve, pasi kjo do të ndikonte në objektivin e tyre.
“Për sa i takon vlerësimit se kur do të jenë në gjendje ta parashtrojnë dosjen gjyqësore, në këto rrethana do të ishim të përgatitur ta parashtronin dosjen para gjyqësorit në fillim të korrikut”, ka thënë ai.
Kjo pati kontestim të ashpër nga ana e avokatëve mbrojtës që e konsideruan si të padrejtë një vlerësim të tillë, duke i dhënë në dispozicion atyre tre muaj para materialet e prokurorisë nga caktimi i datës së gjyqit.
“Prokuroria nuk mund ta ketë seriozisht këtë gjë. Ne sugjerojmë që të presim këtë lidhje për të paraqitur. Ne sugjerojmë të hidhni poshtë një gjë të tillë dhe se në interes të drejtësisë, duhet ta ndani detyrën e prokurorisë nga fillimi i gjyqit”, tha avokati.
Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar Prokuroria të pushojë së paraqituri prova kur të do, ndërkohë që e ka quajtur “gijotinë” kërkesën e saj që gjykimi të fillojë në shtator.
Emmerson ka kundërshtuar idenë e avokatit të Prokurorisë, Allan Tiger, që të dorëzojë dosjen e saj në gjykatë në qershor ose korrik, me kushtin që gjykimi të nisë në shtator.
“Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe absurde. Duhet të ndalet kjo gijotinë e Prokurorisë. Ajo që Tiger sapo tha, është shqetësim mjaftë i rëndë. Habitem se si prokuroria i jap këto përgjigje. Është një parashtrim shokues, ka vetëm një arsye, që të kufizojë mundësinë e mbrojtjes për përgatitje, në qoftë se rregullat thonë që për një gjykim mbrojtja duhet të ketë pak kohë për përgatitje është në rregull, por nuk e thonë. Afati përcaktohet nga kompleksiteti i rastit”, ka thënë Emmerson.
Ai ka paralajmëruar që bashkëngjitur me kërkesën për lirim të klientit të tij, Veselit, do të dorëzojë edhe prova që dëshmojnë se përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla kanë marrë deri në 3 vjet e gjysmë. Ka përmendur edhe gjykimin e Ramush Haradinajt në Hagë.
“Është qesharake, është përpjekje e prokurorisë për të pasur një gjykim të padrejtë”, shtoi avokati i Veselit.