Rama skanon protestat në 7 vjet: U dorëzuam kur ishin të drejta! Jemi i vetmi vend me më shumë policë të plagosur se…

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë pasdite ministrin e ri të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Teksa po fliste për protestat e organizuara së fundmi për vrasjen e Klodian Rashës, kreu i qeverisë tha se shteti i ka respektuar gjithmonë protestat e qytetarëve. Rama solli disa shembuj të protestave, ku qeveria u dorëzua, duke u dhënë të drejtë kauzave të qytetarëve, siç ishte rasti i armëve kimike, protesta e kuksianëve në rrugën e Kombit, apo edhe greva e naftëtarëve.

“Nuk e kemi bërë kurrë gabimin e mosrespektimit të protestës qytetare. Armët kimike, studentët, pagesa e kuksianëve për rrugën e Kombit, pagesa për naftëtarët janë disa shembuj konkretë për shkallën e dëgjueshmërisë dhe reagimit tonë pozitiv ndaj protestave. Disa thanë se qeveria u tërhoq në rastin e Kukësit se u tremb nga dhuna. Në fakt jo, qeveria reflektoi me shqetësim të drejtë ndaj një komuniteti. Kuptuam se ishim ne gabim dhe jo komuniteti kuksian“, tha Rama.

Por kreu i qeverisë u shpreh se ka patur edhe protesta që në thelb kanë qenë të padrejta dhe që kanë cënuar të drejtat e qytetarëve të tjerë. Duke sjellë shembullin e Teatrit, Unazës së Re, dhe protestat e opozitës,  Rama tha se policia nuk i ka tejkaluar kurrë kompetencat që i jep ligji.

“Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por jo çdokush që proteston ka të drejtë. E drejta e protestës nuk diskutohet. Në rastin e Unazës së Re e drejta e protestes është respektuar nga ana jonë, ndërkohë që është shkelur e drejta e një mase të madhe njerëzit për të qarkulluar lirisht për në Tiranë, apo jashtë Tiranës. Apo edhe rasti I teatrit, ku një pakicë e lidhur me fije politike, përdor të drejtën e protestës për t’iu imponuar forcërisht jo vetëm shumicës së artistëve , por edhe qeverisë dhe bashkisë, duke marrë peng godinën, pronën publike, për dy vjet më radhe dhe duke e dhunuar me forcë zhvillimin e një projekti. Nuk ka qenë dobësi nga ana jonë. Edhe ndaj protestave të dhunshme të opozitës, policia nuk e ka kaluar kurrë të drejtën e ushtrimit të forcës. Jemi i vetmi rast ku numërohen më shumë policë të plagosur se protestues “, tha Rama./ Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT