Hysni Gucati para Gjykatës Speciale: Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm

Në paraqitjen e tij të parë para gjykatës speciale, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u deklarua i pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij.

“Në gjitha pikat që m’u lexuan deri ndjehem i pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, unë kam të drejtën e lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mia. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, tha ai.

Paraqitja e Gucatit para Dhomave të Specializuara u bë disa orë pasi të premten para kësaj Gjykate u paraqit edhe zëvëndëskryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt më 11 dhjetor.

Sipas aktakuzës ata zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Ndwrsa nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, akuzohet për shpërndarjen e dokumenteve dhe informacioneve kofidenciale dhe jopublike që kanë lidhje me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Të drejtën të them as lexue nuk e kom”, ka thënë Haradinaj ku është pyetur nga gjyqtari nëse i janë dorëzuar dokumentet e akuzës.

Ai gjatë seancës së mbajtur ka pasur akuza ndaj Prokurorisë Speciale. “Kjo prokurori është politike e selektive dhe e njëanshme, Por tani me veprimin e tyre po dyshoj dhe po bindem qe është e korruptuar se ndryshe nuk do t’ju dilte i gjithë ai material nga zyrat e tyre”, tha Haradinaj.

Çështja për Haradinajn e Gucatin do të mbahet më 7 ose 8 janar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT