Rritja e çmimeve në periudhën e pandemisë, Basha: Gjatë 7 viteve të dështuara të Ramës çmimet janë ngritur në stratosferë, qeveria jonë do të luftojë monopolet dhe klientelizmin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar të dhënat e EUROSTAT, në të cilat thuhej se Shqipëria renditet e 3-ta në Europë për rritjen e çmimeve në periudhën e pandemisë.
Basha thotë se gjatë 7 viteve të dështuara të Edi Ramës, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë ngritur në stratosferë, ndaj edhe durimit i ka ardhur fundit.
Sipas kryedemokratit, kur PD të vijë në pushtet do të ulë çmimet, do të luftojë monopolin dhe klientelizmin, si dhe do të jetë një qeveri që kujdeset për njerëzit.
“Shqipëria renditet e 3-ta në Europë për rritjen e çmimeve të shportës bazë ushqimore. Të dhënat e publikuara nga EUROSTAT tregojnë se Shqipëria ka rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve në Europë! Gjatë 7 viteve të dështuara të Edi Ramës, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë ngritur në stratosferë. Durimit i ka ardhur fundi!
Ne do të ulim çmimet e ushqimeve duke luftuar monopolet dhe klientelizmin, dhe do të kemi një qeveri që kujdeset për njerëzit, në vend të një qeverie që kujdeset për veten dhe klientët e saj”, shkruan Basha.