Avdullah Hoti flet pas rrëzimit të qeverisë, i shmanget pyetjes nëse do jetë në koalicion me Vjosa Osmanin

Kryeministri i Kosovës, qeveria e të cilit u rrëzua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, ka dalë në një konferencë shtypi i qetë duke thënë që shqetësimi i tij ishte miratimi i buxhetit e jo fati i qeverisë së tij dhe i zgjedhjeve.
“Do ta kryejmë punën tonë deri në fund. E morën detyrën kur vendi ishte i mbyllur jo vetëm nga pandemia por edhe ndërkombëtarisht pasi i ishin ngrirë dhe fondet ndërkombëtare kryesisht nga SHBA.
Ne hapëm vendin shoqërinë, menaxhuam pandeminë e tani do shkojmë në zgjedhje qetësisht. LDK i ka të gjitha kapacitetet dhe unë do ta udhëheq qeverinë me të njëjtin angazhim derisa të nisë punën qeveria e re”, tha Hoti.
“Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë. Është obligim kushtetues që të shpallim datën e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona. Do të jemi në krye të detyrës për tu marrë me obligimet qe i kemi karshi qytetarëve të vendit. Për të cilët kemi treguar rezultate të mira. Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021”, deklaroi ai.
Hoti, kur u pyet nëse do të kandidojë për Kryeministër, ka thënë se akoma nuk është diskutuar brenda partisë. “Sigurisht do të diskutojmë brenda strukturave të partisë, për të marrë një vendim. Por, jemi në pozicion të mirë, duke pasur një bagazh të punëve të mira që i kemi bërë”, tha Hoti që mban postin e numrit 2 të LDK-së.
Ai shtoi se do të mbahet mend për qeverisje të mirë dhe rregullim të raporteve me SHBA-në. “Kemi arritur marrëveshje e Uashingtonit, e kemi rijetësuar dialogun me Serbinë. Kemi udhëhequr me parimet të qarta, sipas ligjit dhe sipas Kushtetutës”, deklaroi kryeministri. Hoti iu shmang pyetjes së medias se nëse do të jetë LDK në koalicion me Vjosa Osmani, e cila pritet të krijojë një parti më vete. Ai e cilësoi këtë si një pyetje hipotetike./GazetaShqip