Bashkimi Europian “shuplakë” Berishës dhe LSI: Akuzat ndaj Kalaverës të pabaza, ndalni tentativat për të penguar reformën në drejtësi

Bashkimi Europian ka reaguar ashpër mbi akuzat që po i bëhen në Tiranë përgjegjëses për Ballkanin dhe njëherësh shefes së ONM, Genoveva Calavera. Ish-kryeministri Sali Berisha, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili dhe shumë media pranë opozitës kanë sulmuar disa ditë rresht zonjën Kalavara, duke u bazuar te një shkrim i “New Europe”.

Edhe pse është një media periferike dhe dyshohet se kemi të bëjmë me një shkrim të sponsorizuar nga Tirana, kaq ka mjaftuar që të nisin sulmet ndaj zonjës në fjalë dhe sidomos ndaj reformës në drejtësi, duke qenë se Calavera kujdeset për mbarëvajtjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Por kjo ka sjell reagimin dje të Brukselit zyrtar. Ka qenë komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili ka reaguar dje ashpër.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka kërkuar që të marrin fund përpjekjet për të baltosur vetingun dhe reformën në drejtësi. “Akuzat e fundit të pabaza në shtyp dhe media sociale janë plotësisht të papranueshme. Unë kam besim të plotë në stafin tim dhe i qëndroj pranë Calavera Ruiz dhe ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca. Më lejoni të theksoj gjithashtu se reforma në drejtësi dhe vettingu i gjyqësorit është thelbësor dhe nuk duhet të devijojë ose të ngadalësohet, pavarësisht presioni”, shkruan Varhelyi.

Goditje ndaj opozitës

Qëndrimi i komisionerit duket se është një shuplakë për ish-kryeministrin Berisha dhe LSI. Berisha ishte ai i cili reagoi hapur në rrjetet sociale, ndërkohë nga LSI ishte Petrit Vasili ai që shpërndahu lajmin në fjalë në profilin tij në Facebook. Ndërkohë mediat pranë opozitës e përdorën shkrimin e “New Europe” si argument për të sulmuar Calavera-n dhe reformën në drejtësi. Berisha, duke iu referuar një artikulli të “New Europe”, ka akuzuar Genovefa Calaverën se ka ndërhyrë në Venecia për ndryshimet zgjedhore. “Zbulohet segment tjetër i rrjetit të strukturuar mafioz Tiranë-Bruksel.

Pas ndrikull Romana Vllahutin, e cila blinte me katërfishin e çmimit për metër katror rezidencën e delegacionit të BE në Tiranë del dhe Ndrikull Calavera bashkëpunëtore e Edvin Drogës. Ajo, sipas mediave të mirinformuara të Brukselit, në një akt të pastër korruptiv për llogari dhe me kërkesë të Edvin Hajdutit dhe në kundërshtim flagrant me qëndrimet zyrtare publike të zyrtarëve më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Europian, ka shfrytëzuar postin dhe i ka telefonuar Komisionit të Venecias duke i kërkuar që të mos shqyrtojë kërkesën e Presidentit të Shqipërisë për ligjin zgjedhor”, tha Berisha.

Berisha sulme ndaj vetingut

Nga ana tjetër ai ka sulmuar dhe procesin e vetingut. Sipas Berishës aty paguhen shumë para. “Ndërkohë që zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian, Parlamentit Europian, por edhe të Bundestagut bënin thirrje publike Edvin Drogës që të mos votojë ndryshimet në Kodin Elektoral, por të presë mendimin e Komisionit të Venecias për këto ndryshime. Rikujtoj këtu se Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor gjithashtu drejton grupin ndërkombëtar të monitorimit të procesit të vetingut, proces për të cilin flitet se paguhen shuma marramendëse parash të zeza”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT