Ish-ministri i Drejtësisë tregon si të denonconi DHUNËN e Policisë: Rrahja në furgon apo rrugë dënohet nga Kodi Penal. Bëni ekspertizë mjeko-ligjore sa më parë

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, u bën thirrje të gjithë atyre që kanë provuar apo kanë parë dhunën e Policisë, që ta denoncojnë atë në Prokurori, sepse denoncimi në media nuk mjafton.
Sipas tij, personat e dhunuar duhet të bëjnë denoncim në Prokurori sa më parë, dhe më pas të bëjnë ekspertizën mjeko-ligjore që fakton dhunën.
“Denonconi çkeni hequr, apo çkeni parë. Në keni prova aq më mirë, në keni dëshmitarë prap është mirë. Bëni ekspertizë mjeko ligjore se plagët nuk fshihen kollaj. Por bëjeni sa më shpejt këtë gjë.
Konsultohuni me ekspertë të IT, sepse ata do t’u tregojnë si provohet ndërhyrja e dhunshme në aparatet celularë apo kamerat digjitale. Avokatët penalistë janë të mirë, ju siguroj për këtë gjë. Kërkoni ndihmën e tyre dhe do ta gjeni”, shkruan Manjani ndër të tjera.
Shkrimi i plotë:
Një këshillë miqsore, për të të gjithë ata që kanë vuajtur ose kanë parë dhunën e policisë:
Denoncojeni në Prokurori. Nuk mjafton denoncimi publik, duhet dhe denoncimi ligjor i krimit. Rrahja ndaj çdo personi që bën policia, në rrugë, furgon apo komisariat quhet torturë dhe trajtim ç’njerzor. Është krim dhe dënohet sipas Kodit Penal.
E kuptoj që besimi tek drejtësia është në nivelet e inekzistenës, por është gjithmonë më mirë të denoncohet dhuna dhe idealisht edhe dhunuesit shtetërorë, me emër mbiemër. Denonconi çkeni hequr, apo çkeni parë. Në keni prova aq më mirë, në keni dëshmitarë prap është mirë.
Bëni ekspertizë mjeko ligjore se plagët nuk fshihen kollaj. Por bëjeni sa më shpejt këtë gjë.
Konsultohuni me ekspertë të IT, sepse ata do t’u tregojnë si provohet ndërhyrja e dhunshme në aparatet celularë apo kamerat digjitale.
Avokatët penalistë janë të mirë, ju siguroj për këtë gjë. Kërkoni ndihmën e tyre dhe do ta gjeni.
Për fat (sdi ç’ngjyrë ti vë këtij fati) partitë as dënojnë dhunë e as mbrojnë të dhunuarit… Ndaj lërini mënjanë për një moment.
Bëjeni një përpjekje sepse me pak, shumë pak prova horrat mund të kapen gafil. E kur kapen gafil, fillojnë e hanë njëri-tjetrin. Shiheni se si po u bien horrat e drogës, një e nga një.
Por edhe nëse drejtësia nuk ju përgjigjet, të jeni të bindur se një ditë do përgjigjet edhe për ata që nuk japin sot përgjigje.
Unë them DENONCOJENI DHUNËN! Jo vetëm në media.
Bëjini një shërbim afatgjatë publikut, jo thjesht lajmeve të ditës. Këto të fundit harrohen shpejt.