Meta: Kushtetuesja ende larg funksionalitetit, anëtarët të mbrojnë demokracinë!

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka dhënë një qëndrim publik për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, ku ka deklaruar se ende ky institucion është larg së qenit funksionale. Por Presidenti ka paralajmëruar anëtarët e saj që të mbrojnë demokracinë e shtetin e së drejtës.
Deklarata e Metës erdhi nga Elbasani, ku ai vizitoi një qendër që trajton fëmijët me nevoja të veçanta.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend siç ndodh kudo që sundon shteti i së drejtës. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që vendi të mos mbetej pa gjykatë, por ka ende punë për gjykatë funksionale dhe për presidentin funksionaliteti i saj është çështje thelbësore, e të gjithë ata që deri tani janë bërë pjesë e saj, të kenë përgjegjshmëri maksimale për shtetin e së drejtës për të mbrojtur demokracinë e interesin publik”, tha Meta.
Ndërkaq, në lidhje me zërat që ka pasur një tërheqje pas presionit ndërkombëtar, Meta tha se: “S’ka tërheqja nga Presidenti, procesi ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit, çdo spekulim për ta krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza me parlamentin e kreun e KED është e pavend, pasi atëherë kishte një përpjekje mafioze për të marrë mazhoranca e për të kapur Gjykatën Kushtetuese”.
Pyetje: Zoti President, vizita juaj në Elbasan, përkon pikërisht, një ditë pasi u plotësua një handikap i madh, nga ku të gjithë i kanë pasur sytë, ndërkombëtarë e shqiptarët, Gjykata Kushtetuese….
Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend demokratik, ku sundon shteti i së drejtës.Presidenti ka bërë çdo përpjekje, që Shqipëria të mos mbetej asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Ka ende punë për të patur një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale dhe për Presidentin e Republikës, kjo është një çështje thelbësore.
Uroj, që të gjithë anëtarët e kësaj Gjykate të cilët janë tashmë pjesë e saj, por edhe ata që do të bëhen pjesë në të ardhmen, të kenë përgjegjshmëri maksimale, për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni për shtetin e së drejtës, për të drejtat e qytetarëve, për të mbrojtur demokracinë, interesin kombëtar dhe interesin publik. Unë, do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe të gjithë institucioneve të tjera.
Pyetje: Zoti President, qytetarët kanë qenë gjithmonë në dilemë kush ishte pengesa për krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe brenda dy tre ditëve u zgjidh kjo situatë. Kush besoni se ka qenë, tërheqja juaj apo e qeverisë?
Presidenti Meta: Nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e Presidentit, për sa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe nga shumë aspekte të tjera. Çdo spekulim, për të krahasuar situatën aktuale, me atë kur ndodhi kriza apo përplasja, në të kaluarën, midis Presidentit dhe Parlamentit, si dhe me ish-kreun e KED-së, është e pavend.
Në atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer, në mënyrë kriminale dhe mafioze, kjo është e qartë dhe e pandryshuar, një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit të Republikës, për ta marrë mazhoranca për llogari të saj, dhe për të uzurpuar dhe kapur në mënyrë brutale Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni i Venecias ka folur tepër qartë se kush e shkaktoi këtë incident të qëllimshëm. Presidenti ka vepruar gjithmonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, gjithmonë kur KED-ja i ka propozuar për vakancat që i takojnë Presidentit. Presidenti ka qenë gjithmonë bashkëpunues.
Është bllokuar tre herë KED-ja, këtë e thotë qartë dhe Komisioni i Venecias, nga mazhoranca në të kaluarën, për qëllimet e saj. Në këtë rast dua të falënderoj shumë Bundestagun, që prej kohësh vendosi si prioritet apo si një kusht, bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, që më pas u ndoq edhe nga Parlamenti Europian e vendet anëtare. Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar, por mbi të gjitha, ne të gjithë duhet të ndjekim dhe të monitorojmë funksionimin dhe vendimmarrjen e saj, në të ardhmen.
Ju e patë që në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant, dhe ne duhet të synojmë të kemi një gjykatë të pavarur nga politika dhe nga çdo ndikim, që udhëhiqet vetëm nga interesi kombëtar dhe respektimi me besnikëri i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Pyetje: Zoti President meqë jemi dhe në fund të vitit bëhet dhe një bilanc ekonomik. Si e konstatoni Ju anën ekonomike të shqiptarëve në këtë fund viti?
Presidenti Meta: Nuk do të doja, që në këtë fund vit të përmendja bilancin ekonomik të familjeve shqiptare, por do të shfrytëzoja rastin, për të uruar Gëzuar Krishtlindjet, sa më shumë shpresë.
Gëzuar Vitin e Ri! Të jetë një vit i ri më i mirë, në pikëpamje të shëndetit në radhë të parë, sepse shumë qytetarë dhe familje, po ndeshen me vështirësi të mëdha në këtë plan, sigurisht dhe një vit më i mirë në drejtim të ekonomisë familjare e kombëtare, për çdo shqiptar edhe për të gjithë së bashku.