A do të hetojë SPAK politikanët si në Kroaci? Kraja: Asnjë kufizim! Fund të paprekshmëve

Kreu i SPAK, Arben Kraja në intervistën e dhënë për gazetaren Anila Hoxha për emisionin 31 Minuta në RTSH ka shprehur vendosmërinë se institucioni që ai drejton do të luftojë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Unë e kam thënë edhe disa herë të tjera që, ajo që ne garantojmë është serioziteti, vendosmëria për ti shkuar gjërave deri në fund, por nuk mund të bëhemi arbitrar, nuk mund të bëhemi të kundraligjshëm, sepse përkundrazi do të bëjmë pastaj dëm më të madh të sistemit. Duhet të jemi gjithmonë bazuar në prova. Provat kërkojnë kohë të merren, rezultati padiskutim kërkon kohë që të vij. Duhet të jemi të përgatitur të gjithë”, shprehet Kraja.
Anila Hoxha: Për shkak të kompetencave që përfshihen në SPAK është krijuar ideja që SPAK do të ndëshkojë të pandëshkueshmit të cilësuar të tillë edhe nga ndërkombëtarët. Sipas jush, cila është ajo kategori që konsiderohen të paprekshëm?
Arben Kraja: Në Shqipëri ka pasur një histori të gjatë të pandëshkueshmërisë. Çfarë do me thënë kjo? Në gjithë botën kryhen shkelje të ligjit, kryhen vepra penale, por strukturat ligjzbatuese, organet e prokurorisë dhe gjykatat i ndëshkojnë ata që kryejnë vepra penale të tilla. Tek ne, kemi histori pa fund të mos ndëshkueshmërisë që, dmth, që në publik kanë dalë fakte, kanë dalë prova me pamje, me deklarime etj., me radhë. Por që nuk janë ndëshkuar, nuk kanë marrë atë që meritojnë. Në këtë sens, kjo kategori njerëzish që quhen të pandëshkueshëm, padiskutim që do të jenë subjekt i SPAK-ut në mënyrë të vazhdueshme.
Pse e them këtë? Sepse pandëshkueshmëria shërben si nxitje për të rritur kriminalitetin. Nëse njerëzit shikojnë një person, i cili shkel ligjin dhe nuk i ndodh asgjë, karshi tij, padiskutim që edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë. Kushdo që do të jetë subjekti, që do t’i nënshtrohet hetimit kur ka kryer shkeljet ligjore, duhet të përgjigjet qoftë një qytetar i thjeshtë apo qoftë një person që merret me krimin e organizuar apo një subjekt politik i lartë apo funksionar shtetëror i lartë . Të gjithë duhet të jenë njësoj kur të vij problem i ushtrimit dhe ndjekjes penale nga ana e strukturës tonë.
Anila Hoxha: Për shkak të pritshmërive të larta të publikut dhe besimit absolut të publikut ndaj SPAK është krijuar një legjendë urbane që ka edhe dosje të gatshme, të cilat SPAK po i përpunon dhe së shpejti mund të ketë surpriza të pakëndshme ndaj të paprekshmëve. Ekziston diçka e tillë?
Arben Kraja: Koncepti i dosjeve të gatshme nuk është një koncept ligjor. Ne kur kemi filluar punën kemi marrë një numër të caktuar dosjesh të transferuar nga prokuroria e krimeve të rënda, e cila u shkri. Kemi marrë edhe një kategori dosjesh nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, kryesisht ato që kishin të bënin me shkelje të barazisë në tendera. Kuptohet që edhe këtë vit kanë ardhur edhe denoncime të tjera mbi bazën e të cilave janë regjistruar procedime penale. Megjithatë kjo kategori e caktuar dosjesh është ajo në të cilën po punojmë. Patjetër që kërkon kohë, d.m.th që duhet të gjesh prova, të heqësh çdo arsyetim të arsyeshëm për të shkuar në gjykatë dhe për të kërkuar dënimin e kushdo qoftë që ka shkelur ligjin .
Anila Hoxha: SPAK-u shqiptar u ngrit sipas modelit USKOK që ngriti akuza ndaj personazheve më të lartë të politikës në Kroaci, duke përfshirë ish-ministra dhe ish-kryeministrin. A jeni të bindur se SPAK do të kap të njëjta nivele si USKOK kroat?
Arben Kraja: Këto struktura për atë arsye janë ngritur për të hetuar nivelin e lartë, për të hetuar persona të rrezikshëm, krimin e organizuar, grupet të strukturuara, organizatat terroriste dhe patjetër normalisht do të kenë rezultat. Por duhet të keni parasysh diçka që, rezultati nuk është diçka që merret se dua unë të merrem me këtë person, apo atë personazh, por duhet të vij gradualisht, nëpërmjet provave, nëpërmjet hetimeve që kërkojnë kohën e duhur dhe duhet të kemi strukturat e duhura e të specializuara.
Anila Hoxha: Do të kemi një ngjashmëri me USKOKUN për arritjet që synoni?
Arben Kraja: USKOK-u është një nga strukturat më të suksesshme në rajon, por ju duhet ta dini që USKOK-u për të arritur aty ku ka arritur i është dashur të punoj 5 apo 6 vite. Besoj më kuptoni. Unë e kam thënë edhe disa herë të tjera që, ajo që ne garantojmë është serioziteti, vendosmëria për ti shkuar gjërave deri në fund, por nuk mund të bëhemi arbitrar, nuk mund të bëhemi të kundraligjshëm, sepse përkundrazi do të bëjmë pastaj dëm më të madh të sistemit. Duhet të jemi gjithmonë bazuar në prova. Provat kërkojnë kohë të merren, rezultati padiskutim kërkon kohë që të vij. Duhet të jemi të përgatitur të gjithë.
Anila Hoxha: Ndërkombëtarët e kanë cilësuar shpesh të korruptuarit e niveleve të larta si të paprekshmit. A ka aktualisht SPAK nën hetim të paprekshëm të politikës?
Arben Kraja: Çështjet e hetimit janë sekret. Zakonisht edhe kodi i procedurës penale e parashikon qartë që të gjitha çështjet që janë në fazën e hetimit paraprak janë sekrete dhe nuk mund të jepen dhe të bëhen publike të dhëna apo detaje nga dosja. Megjithatë unë mund të them këtë që ne nuk kemi asnjë limit, asnjë kufizim kushdo që do përfshihet padiskutim që do të hetohet deri në fund dhe do të kërkojmë përgjegjësi për atë që ka bërë.
Anila Hoxha: Kur thoni që është sekret hetimor, unë kam të drejtën të nënkuptoj që ka nën hetim?
Arben Kraja: Ju keni të drejtë të thoni që ka, unë kam të drejtë dhe detyrim të them atë që më detyron ligji të them.
Anila Hoxha: Ka pasur realisht prokurorë të kërcënuar të SPAK gjatë kësaj periudhe apo gjyqtarë të posaçëm të GJKKO që kanë hetuar çështje të caktuara, që mund të jenë intimiduar apo të jenë dërguar mesazhe të caktuara dhe nëse po, kush i ka dërguar këto mesazhe?
Arben Kraja: Prokurorët e Spak-ut, ashtu edhe gjyqtarët, padiskutim që merren me personazhe që janë të rrezikshëm, organizata kriminale, grupe të strukturuara, por edhe nëpunës shtetërorë të niveleve të larta, të cilët ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë por indirekt bëjnë edhe presione. Dhe në këto raste ligji ka parashikuar shumë qartë mbrojtjen e secilit prej tyre. Ka disa prokurorë edhe disa gjyqtarë të cilët kanë mbrojtje fizike për arsye që kanë patur çështje më herët. Nuk dua të futem në detaje sepse nuk janë për publikun, por e rëndësishme është që të gjithë janë të vendosur për ta bërë punën deri në fund dhe nga ana tjetër ka siguri dhe garanci për mbrojtjen e tyre e parashikuar në ligj, por edhe realizuar konkretisht në mbrojtjen fizike, qoftë individuale të prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe të familjeve të tyre.
Anila Hoxha: Prokurorët e Spak-ut dhe gjyqtarët e posaçëm janë kërcënuar duke dërguar mesazhe me nënkuptime kërcënuese gjatë këtij viti?
Arben Kraja: Thashë edhe njëherë nuk është vetëm gjatë këtij viti, por këto janë histori të trashëguara edhe nga gjykata e krimeve të rënda dhe nga prokuroria e krimeve të rënda, të cilët për siguri vazhdon mbrojtja fizike e tyre, janë procese që janë në gjykim, janë procese që janë tepër të rëndësishme me personazhe të përfshira në botën e krimit të organizuar, por që normalisht prokurorët dhe gjyqtarët kanë mbrojtje fizike.
Anila Hoxha: Si përkthehen në zyrat e SPAK, mesazhet e politikës? Shpesh gjatë këtij viti kanë dhënë mesazhe të pafundme, kanë kërkuar hetime për dosje të mëdha. Është përfolur një nga dosjet për sa i takon çështjeve së zgjedhjeve për të cilat u shpall mos kompentenca. Si përkthehen në këto zyra? Janë thjesht batuta të politikës apo kanë edhe ngarkesa të tjera?
Arben Kraja: Ne kemi diskutuar patjetër me njëri-tjetrin në mbledhje dhe kemi vendosur diçka që çdo debat që bëhet të jemi shumë të ftohtë dhe të rrimë sa më shumë profesionalisht. Secili nga jashtë ka të drejtë, politika të bëj deklaratat e veta, qytetarë të ndryshëm kanë të drejtë të ankohen, të bëjnë letra. E rëndësishme është që prokurori kur merr një vendim ta ketë të bazuar në ligj, ta këtë të bazuar në prova që ka në dosje dhe të marrë vendimin që duhet të marrë. Në këtë sens, mesazhe qoftë të politikës, askujt tjetër nuk i vlerësojmë në sensin as shqetësuese apo intimiduese, secili nga prokurorët është i përgjegjshëm për punën që bën dhe vendos mbi bazën e provave gjithmonë, pavarësisht i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen dikujt tjetër.