Djegia e mandateve, Mark Crawford: Ndikon negativisht në imazhin e vendit
“Qytetarët dhe politika duhet të kujdesen për imazhin pozitiv të vendit. Gjithmonë do të ketë mosmarrëveshje, por nëse mosmarrëveshjet krijojnë prishjen e qeverisë, kjo është ndryshe nga situata. Edhe ne kemi mosmarrëveshje në SHBA por nuk është se do të prishim qeverinë”.
Kështu u shpreh sot presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, në përgjigje të interesit të medies, për ndikimin e mundshëm të protestës së dhunshme të opozitës tek sipërmarrësit e huaj.
“Unë jam akoma duke parë se çfarë do të ndodhë. Kjo është një gjë që nuk ndodh në SHBA. Normalisht edhe në Amerikë kemi protesta, kemi opozitë, por ata që janë zgjedhur nga qytetarët të bëjnë opozitë, shkojnë dhe marrin pjesë për të bërë politikë. Por çdo gjë që jep stabilitet është plus dhe anasjelltas është minus”, theksoi Crawford.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se është shumë e rëndësishme të kujdesemi për thithjen e investitorëve të huaj. Në këtë kuadër thotë ai, duket të krijojmë një imazh pozitiv të vendit për tërheqjen e tyre.
“Nuk jam i shqetësuar për investitorët që janë këtu, apo për ata sipërmarrës që do vijnë në Shqipëri, por jam i shqetësuar për bizneset që nuk vijnë dhe ne nuk dimë nëse do të kishin ardhur këtu, ky është imazhi për të cilin duhet të kujdesemi”- tha ai.
Duke u ndalur në rëndësinë e të dhënave personale, ai shpjegoi se “çdo gjë në SHBA është e bazuar me të dhënat personale. Ne kemi shumë biznese të mëdha që duan dhe kanë dëshirë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, por çdo gjë që mund të zhvillojnë është e bazuar mbi të dhënat personale”./ZgjohuShqiptar.info