Shqiptarja rekord botëror, Doçi më e mira e 2018-ës: Krenare që përfaqësoj skuadrën e vendin tim
Sulmuesja e Vllaznisë dhe e Kombëtares shqiptare të futbollit është lojtarja që ka shënuar gola në të gjithë botën për vitin e kaluar. Studimi është bërë nga blogu spanjoll “Futbol feminine alternative” dhe futbollistja shkodrane renditet e para me 84 gola të shënuar në të gjitha ndeshjet zyrtare të vitit të shkuar.
Doçi ka lënë pas vetes amerikanen Kristina Freda dhe futbollisten nga Haiti, Roselord Borgella. Ajo që bie në sy është se në “Top 20” bëjnë pjesë edhe dy lojtare të tjera nga kampionati shqiptar, Cyme Lulaj e Kinostudios e pesta me 50 gola dhe Kesjana Goro e Apolonisë e 12-ta me 39 gola.
E kontaktuar nga “Panorama Sport”, Doçi e komenton kështu këtë arritje të jashtëzakonshme në karrierë: “Sigurisht që ky fakt më bën të ndihem krenare dhe e lumtur. Ajo që më gëzon më shumë është fakti se këtu përmendet futbolli i vendit tim dhe ekipi që unë përfaqësoj, Vllaznia!Ky vlerësim më motivon akoma edhe më shume që të punoj për t’i shërbyer akoma më shumë ekipit tim dhe Kombëtares shqiptare. Në këtë arritje dhe në formimin tim si sportiste kanë dhënë kontributin e tyre shumë persona, por dua të veçoj disa prej tyre.Në radhë të parë është familja ime që më ka mbështetur në çdo hap, në këtë rrugë. Gjithashtu, falënderoj drejtuesit e ekipit Vllaznia që më kanë përkrahur dhe kanë punuar shumë në formimin tim. Po ashtu, vlerësoj edhe trajnerët e ekipit kombëtar që kanë besuar vazhdimisht tek unë duke më bërë pjesë e ekipeve kombëtare. Falënderoj edhe FSHF-në, e cila ka një kontribut të madh sepse e ka mbështetur vazhdimisht futbollin e femrave dhe ekipin kombëtar”, deklaron lojtarja më e mirë e kampionatit shqiptar.
Në fund, Doçi flet edhe për vështirësitë e futbollit të femrave në Shqipëri. “Futbolli i femrave në Shqipëri, duke qenë se është një sport i ri për ambientin tonë, kemi hasur shumë vështirësi gjatë këtyre viteve si, për shembull, mungesa e terreneve për stërvitje, mbështetja e pakët nga institucionet shtetërore, sidomos ato qendrore, mbështetja e pakët nga donatorët dhe organizma të tjerë.
Duhet theksuar se ky sport mbijeton falë mbështetjes së federatës dhe disa dashamirësve të këtij sporti. Gjithashtu, mendoj se edhe mediat duhet ta promovojnë më shumë këtë sport sidomos mediat qendrore sepse mediat lokale në Shkodër kanë qenë një mbështetje e madhe për ne. Përtej këtyre vështirësive, ne duhet të punojmë sa më shumë që këtë sport ta ngremë akoma më lart, sidomos në arenën ndërkombëtare”, përfundon Megi Doçi, e cila javë pas jave i befason të gjithë me magjitë dhe golat e saj të shumtë.ARTIN LLESHAJ/panorama sport/ZgjohuShqiptar.info