Tregti diamantesh e pastrimi i 150 milionë eurove në Shqipëri, 2 gazetarët gozhdojnë mashtruesin (VIDEO)

Një ndër proceset më të çuditshme në Shqipëri ishte ai ndaj Fondacionit “Mesa”. Një fondacion bamirës, i cili pretendon se vepron në Shqipëri dhe ka plane. Fondacioni pretendon se u janë dhuruar disa bonde nga Zimbabve me vlerë mbi 150 milionë euro. Bondet janë të siguruara në bankat e Zvicrës, por ata po presin që t’i shesin.
Në vitin 2017, presidentja e fondacionit, Carla Sala dhe përfaqësuesi shqiptar Shpëtim Memetaj, kanë folur me një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri që të depozitojnë shifrën e 150 milionë eurove.
Këtu nis alarmi i kuq, pasi banka vë në dijeni prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë së Kosovës, Kinë, Zvicër, Zelandë e Re, Itali dhe Spanjë. Banka mendonte se paratë do të transferoheshin për t’u pastruar në vendin tonë dhe vinin nga shitja e gurëve të çmuar.
Çështja u pushua, pasi ende nuk u krye asnjë lëvizje dhe bondet mbeten në Shqipëri. Ndërkohë fondacioni “Mesa” pretendon se bondet janë në emër të tyre, me dokumente të rregullta në Zvicër dhe mund t’ia shesin kujt të duan këto para. Ata kanë një parakontratë për blerjen e një toke në Vorë ku duan të ndërtojnë azilin e pleqve.
Për të sqaruar këtë çështje, ishte në një lidhje skype nga Italia me “Shqipëria Live”, Shpëtim Memetaj, përfaqësues i fondacionit “Mesa”, të cilin dy moderatorët e emisionit e gozhduan.
“Fondacioni është krijuar në vitin 2017 dhe në nëntor të këtij viti ne patëm një donacion që nuk mund të themi nga kush, një shumë bondesh që janë letra me vlerë. Këto bonde do të shiten nëpërmjet bankave. Ne na u dhuruan dhe i kemi të depozituara që në 2017-n në Zvicër. Pasi ne i siguruam këto, bëmë një program, shumë program se për çfarë do t’i përdornim 150 milionë eurot”, tha Memetaj.
Moderatorja e emisionit, Ejona Rusi, e pyeti më pas nëse ai nuk dëshiron apo nuk mund ta thoni burimin e këtyre parave?
“Këto para janë të ardhura nga bondet”, tha ai, të cilin moderatorja e pyet sërish: “Nga kush? Se zakonisht bondet lëshohen nga një institucion financiar, zakonisht nga bankat qendrore. Nga cili vend?”.
“Këto janë bonde të shtetit Zimbabve. Këto fonde i janë dhuruar fondacionit tonë. Tani këto bonde që janë lek le të themi, ne bëmë një program me to dhe presim që t’i shesim kur të kemi shumë oferta. Ne u drejtuam te bankat, dhe çuam projektin në një nga këto bankat, që drejtoresha e bankës duke mos njohur bondet dhe duke mos njohur se si veprohet, u alarmua kaq shumë sa e çoi në prokurori këtë çështje”, tha ai.
“Por është një shumë goxha e madhe, ju besoj e dini se kur bëhet fjalë për shuma të tilla kërkohet transparencë nga kush vijnë paratë, kush i dërgon, gjithçka”, ndërhyn moderatorja.
“Drejtoresha e bankës i kishte të gjitha dokumentet përpara, nga vinin, ku janë. Të gjitha i kishte. Nuk kishte pse të nxitonte, t’i lexonte. Por kjo nuk ka rëndësi”, sqaroi Shpëtimi.
“Ju thoni që janë bonde nga qeveria e Zimbabve, për ta mirëkuptuar pak, sa është xhiro financiare apo mbështetja financiare që fondacioni juaj ka marrë në këto 3 vite që është krijuar. Sepse një lëvizje për… ”, ndërhyri moderatori i emisionit, Flori Gjini.
Ndërkohë menjëherë ndërhyn Shpëtimi i cili thotë: “Nuk ka lëvizje këtu, mos i ngatërroni gjërat.
“Është hera e parë që bëhet një donacion në fondacionin tuaj dhe hera e parë rezulton që të jetë e një vlere 150 milionë euro?”, e pyeti Flori.
“Ne punojmë edhe me fondacione të tjera, me fondacione shumë të rëndësishme në Europë. Kur ne hapëm fondacionin, ne lobuam dhe arritëm që të merrnim këto bonde nga njerëz dhe miq. Tani këto bonde i dorëzohen bankës. E kemi bërë me prokurë dhe te noteri”, vijoi Memetaj.
“Meqenëse jemi te dokumenti i memorandumit që ju kishit përgatitur, ose më saktë zonja Carla”, tha Erjona.
“Kjo është shpifja dhe këtu fillon karvari i kësaj pune. Ne nuk kemi lidhje me klientët që blejnë. Dhe as për gurë të çmuar nuk ka pasur as në prokurori dhe as në programin tonë. As në kontratë nuk është folur ndonjëherë për këto gurë. Dhe unë nuk e di nga ku kanë dalë. Nuk është në prokurori asnjë thënie e gurëve. Ne nuk njohim as Gonzales e asnjeri”, u përgjigj Shpëtimi.
“Ju mohoni pjesën e gurëve të çmuar, unë po flas për memorandumin e mirëkuptimit që ju keni përgatitur për ardhjen e këtyre parave”, ndërhyn Erjona.
“Ne nuk e kemi përgatitur ashtu siç thuhet”, vijon Shpëtimi.
“Pra nuk është dokument që e keni përgatitur ju, në emër të fondacionit “Mesa” zonja Carla Sala?”, e pyet Rusi.
“Apsolutisht nuk kemi përgatitur asnjë gjë nga këto. Kjo është një kontratë që nuk e bëjmë ne”, tha ai.
Më pas moderatorët e pyesin se kush e ka bërë këtë kontratë dhe ai shprehet se e bën “fondi monetar, ku ne kemi dorëzuar këto bonde. Ata gjejnë klientët, ata bëjnë shitjet”.
“Pra shtetasi meksikan që flitet këtu, është personi që do të blinte bondet”, e pyesin Memetaj, i cili thotë: “Ne nuk i njohim këta. Ne kemi lidhje vetëm me bankën”.
“Si nuk e njihni, se në dokument thuhet emri i zonjës Carla”, ndërhyjnë moderatorët.
“Zonja Carla, presidentja, ka firmosur kontratën me bankën. Këto bonde ndodhen në siguri në Zvicër”, tha Memetaj, të cilin e ndërpret moderatorja dhe i thotë se “këtë dokument na e keni dhënë ju”.
“Kjo është një kontratë në të cilin banka dhe pjesa e Gonzalës e kush janë këta, dhe ne e firmosim në bankë. Kjo është një kontratë e palëve”, shtoi Shpëtimi.
“Kjo është një kontratë ku është emri i fondacionit dhe i zonjës Carla, e duhet të firmosë kjo e fundit. Sepse kontrata është midis dy palëve. Nëse e ka firmosur, ju pse thoni se nuk e njihni”, e ngacmuan moderatorët.
“Po nuk e njohim ne, se ne nuk e kemi firmosur direkt me blerësin. Ne e firmosim me bankën”, tha ai.
“Por ama është edhe pala tjetër, personi tjetër”, vijoi Flori Gjini.
“Pala tjetër nuk na njeh ne, ne nuk kontaktojmë me ta. Ne na vjen oferta nga banka dhe na thotë ‘keni një kontratë dhe një ofertë për 150 milionë, 200 milionë, jeni dakord”, ne biem dakord dhe e firmosim e pastaj nisim me procedurat”, nis të shpjegohet Shpëtimi.
“Pse Zimbabve duhej të dhuronte 150 euro për në Shqipëri”, e pyesin më pas atë. “Nuk i kanë dhuruar ata. I ka dhuruar një person që është në kontratë, që nuk ka lidhje me Zimbabve as ai”, tha Memetaj.
“Por ju në fillim thatë se janë të shtetit të Zimbabve”, ndërhynë moderatorët.
“Ne i kemi marrë nga një fondacion tjetër, nga një grup tjetër, na i kanë dhuruar”, tha ai, të cilin më pas e pyetën se “nga e kanë burimin këto para? Ju intereson si fondacion që të dini burimin e këtyre parave?”. “Ne jemi interesuar dhe nuk janë fonde të personave, këto fonde janë të blera”, tha ai.