Myslym Murrizi çon në Kushtetuese Kodin Zgjedhor, i bën thirrje Topallit dhe Kryemadhit: Të bashkohen nëse nuk e kanë karamelen në fyt
Pas kreut të Bindjes Demokratike, Astrit Patozit ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese edhe deputeti Myslym Murrizi.
Ai ka ankimuar sot Kodin Zgjedhor që u miratua në Kuvend, e më konkretisht nenin 163 që lidhet me shpërndarjen e mandateve të deputetëve.
Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Murrizi u ka bërë thirrje edhe partive të tjera opozitare që t’i bashkohen kërkesës së tij.
“Kemi ngritur në Gjykatën Kushtetuese një padi për nenin 163 të Kodit Zgjedhor, i cili u heq të drejtën shqiptarëve që të zgjedhin me votë direkte përfaqësuesit e tyre. Megjithëse Gjykata Kushtetuese ishte e ndarë 2,2,2 mes tre palëve, unë shpresoj që presioni të ruajë njëlloj neutraliteti të kësaj gjykate.
Do të ftoja subjektet politike që ta kundërshtojnë këtë Kod Zgjedhor, dhe ti bashkohen kërkesës sime, ftoj edhe zonjën Topalli, që në rast se nuk kanë karamelen në fyt që të na bashkohen. I bëj thirrje dhe zonjës Kryemadhi që të na bashkohet, pasi Ilir Meta u fut në grevë urie në vitin 2008 për ndryshimet e njëanshme në Kod”,- tha Murrizi.