U shkarkua se shpërndante informacione “të rreme”, Kryemadhi: E rikthejmë në punë sapo të marrim pushtetin

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, solidarizohet me mjekun Ilir Allkja, i cili është larguar sot nga puna pasi sipas QSUT, kishte muaj që shpërndante informacione “të rreme” në rrjetet sociale dhe në televizion.
Kryemadhi shkruan se “e ka mbajtur shënim” largimin nga puna të Allkjas dhe Qeveria e re do ta rikthejë në punë atë dhe qytetarë të tjerë të larguar në mënyrë të padrejtë nga Rilindja.
“Solidarizohem me mjekun Ilir Allkja, i cili është një prej shumë qytetarëve të larguar nga puna në mënyrë të padrejtë nga Rilindja. Kjo situatë nuk ka nisur sot, por ne kemi dhe jemi duke mbajtur shënim çdo gjë. Qeveria e re do t’i riparojë këto padrejtësi duke krijuar hapësirat për rikthimin e tyre në punë, si dhe duke riparë të gjithë motivacionin e gjobave të presionit ndaj bizneseve dhe çdo subjekti të cilin Rilindja e trajton si armik. Ndryshimi po vjen”, shkruan Kryemadhi.