Mjeku Dasho: Qeveria po bën politikë me vaksinën, shëndeti dhe jeta e shqiptarëve duhet të jenë prioritet kryesor

Mjeku Erion Dasho ka folur sa i përket vaksinës anti-covid. Me anë të një postimi në rrjetet sociale mjeku u shpreh se qeveria po bën politikë me vaksinën. Ai e cilësoi udhëtimin e kryeministrit Rama në SHBA për vaksinën, si udhëtim qesharak.

“Ka një muaj që qeveria, ministria dhe komiteti bëjnë politikë me vaksinën. Më saktë, vazhdojnë konstantë në linjën e demagogjisë dhe manipulimit. Udhëtimi qesharak interkontinental i kryeministrit që shkoi për vaksina dhe u kthye me bojëra, do të mbetet gjatë në mendjen e shqiptarëve si anekdotë politike. Më pas, ministria, komiteti dhe gjithë takëmi i servilëve promovuan për javë të tëra strategjinë e vaksinimit, e cila sipas tyre ishte perfekte. Nuk u mungonte asgjë, përveç vaksinës”, tha ai.

Teksa foli mbi vaksinën që disa nga vendet e BE blenë për vendin tonë ai u shpreh se qeveria këtë e quajti si sukses të vetin. Ai vijoi më tej duke thënë se vaksina nuk po vjen nga qeveria, por sipas tij solidariteti i BE.

“Vaksina më në fund erdhi. Vendet e Bashkimit Europian të ndodhura nën trysninë e opinionit publik (me miliona shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Europë) vendosën që të blejnë një sasi vaksinash edhe për ne. Kjo natyrisht nuk mund t’u shpëtojë demagogëve dhe manipuluesve! Sapo u dha ky lajm në media dhe kanale diplomatike, qeveria shqiptare rendi ta paraqiste si sukses të vetin! Sipas kryeministrit, vaksina po vjen si rezultat i talentit të vet në lypje! Në fakt është e kundërta e kësaj. Vaksina po vjen si pasojë e lëmoshës dhe frymës solidare që prej kohësh përçon Bashkimi Europian dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me lypjen”, tha ai.

Sakaq mjeku hodhi akuza në drejtim të qeverisë se nuk ka marrë asnjë masë për pandeminë, ndërsa u shpreh: “Kuptohet, shëndeti dhe jeta e shqiptarëve janë shqetësimi i fundit i kësaj qeverie. Të fitojë ca pikë për të zbardhur sado pak imazhin e nxirë para miqve tanë europianë është gjithçka që i intereson kryeministrit tonë. Që nga marsi dhe deri tani qeveria, ministria dhe komiteti nuk kanë marrë asnjë masë efektive për të kontrolluar epideminë e COVID. Fatkeqësisht, vaksina, e vetmja masë që mendohet se mund të ndryshojë rrjedhën e epidemisë, përsëri u kthye në mjet propagandistik”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT