Mandala: Do çojmë ritet arbëreshe në UNESCO, Shqipëria të na mbështesë

Mbi gjashtë shekuj që arbëreshët e Italisë mundohen të mbajnë të gjalla gjuhën, traditat, identitetin e origjinës. Në meritë të kësaj përpjekjeje sa krenare aq edhe të guximshme që meriton të përçohet te brezat më tej, Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO-s, i është dorëzuar këtë të hënë nga Fondacioni Universitar “Françeso Solano”, propozimi që ritet arbëreshe “Moti i Madh”, të regjistrohen si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.
Është një cikël festash që ne i quajmë moti i madh, sipas emërtimit që i ka vënë De Rada kohës kur arbëreshët janë arratisur nga Ballkani dhe kanë gjetur strehim në Itali. Moti i madh tregon edhe festat e pranverës, ato festa që lidhen me ritet fetare që kujtojnë të parët, të vdekurit. Janë rite shumë të lashta që populli shqiptar i ka trashëguar nga kultura indoevropiane, por që për fat të sinkretizmit kanë kaluar edhe në traditën e krishterë dhe që arbëreshët i ruajnë më së miri.
Akademiku Matteo Mandala ka përkrahur dhe ka kontriubuar gjatë kësaj kohe në nismën e udhëhequr nga kolegu i tij albanolog dhe studiuesi arbëresh, Françesco Altimari. Ai shpjegon për “TvT” fazat dhe pritshmëritë që kanë për këtë kërkesë.