Rriten shqetësimet/ Varianti i ri i koronavirusit mbërrin në SHBA, konfirmohet rasti i parë

Në Kolorado të SHBA, është konfirmuar varianti i ri i koronavirusit, që për herë të parë u shfaq në Britaninë e Madhe.
Sipas CNN, më shqetësues është fakti që virusi i ri është konfirmuar te një burrë, që kohëve të fundit nuk kishte udhëtuar askund, që mund të jetë dëshmi se ai është infektuar nga komuniteti që e rrethon.
“Do ta përcjellim me vëmendje këtë rast, sikurse edhe rastet e tjera të mundshme”, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësorë.
Është raportuar se punonjësit shëndetësorë janë duke punuar në identifikimin e mundshëm të rasteve të kontaktit me të infektuarin, si dhe në gjetjen e rasteve tjera potenciale.
“Duke marrë parasysh se i infektuari nuk ka histori të udhëtimit, na tregon se ai është infektuar në komunitetin e tij. E dimë se nuk është vdekjeprurëse, por është më infektues sesa të gjitha variantet e tjera, që paraqet një brengë nëse tashmë fillon të përhapet – për faktin se spitalet tona tashmë janë të stërmbushura”, ka thënë mjeku Atul Gavande, anëtar i ekipit anti-COVID.
Shumë vende kanë ndaluar fluturimet në drejtim të Britanisë së Madhe, ndërsa qendra amerikane për Kontroll dhe Parandalimin e Sëmundjeve, së fundmi ka bërë të ditur se para se të udhëtohet në atë vend nevojitet testi negativ dhe atë jo më i vjetër se 72 orë.