Kush ishte Engeli, miku i shqiptarëve me fund të hidhur: Gjërat që ndoshta s’i dinit

Eliot Engel – miku i madh i shqiptarëve do të largohet nga Kongresi amerikan pas humbjes së tmerrshme që e pësoi në distriktin e tij. Por, cila ishte karriera e tij?
73 vjeçari nga Nju Jorku ishte zënë me mikrofon hapur duke thënë se “nuk do t’i bënte fare për protestuesit” nëse nuk do të garonte “për t’u rizgjedhur si kongresmen”. Ai kishte mbajtur atë pozitë për 32 vjet, duke i fituar 15 palë zgjedhje.
Kjo u pa si hipokrizi nga votuesit demokratë që i kthyen shpinën duke e votuar një mësues shkolle më progresiv se Engeli.
Por, cila ishte karriera e tij politike dhe ndihma që i dha Kosovës?
Engel angazhimin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi e kishte nisur qysh në ditët e para si kongresmen. Ai kishte bërë fushatë të rreptë kundër regjimit brutal të Sllobodan Millosheviqit dhe ishte ndër avokuesit e parë të çlirimit të Kosovës.
Ai qëndrimet pro-Kosovë i kishte shprehur edhe në procesin e Pavarësisë së vendit, e së fundi avokoi edhe për formimin e Ushtrisë – transformimin e FSK-së në Ushtri, projektligj i miratuar me përkrahjen e ShBA në fund të 2018-s.
“Çështja e Kosovës është mbajtur e gjallë në Washington nga një grup i vogël kongresmenësh të udhëhequr nga Kongresmeni Eliot L. Engel” – The Washington Post.
Engel ka lindur në vitin 1947 në Bronks të Nju Jorkut nga prindër me prejardhje nga hebrejtë e Ukrainës.
Karriera e tij politike nisi kur ai ishte 30 vjeçar, pra para më shumë se 33 vitesh, fillimisht duke e fituar një ulëse në Asamblenë Shtetërore të New Yorkut.
Engeli që para se të njihet si një pro-kosovar ishte njohur edhe si pro-hebre i flaktë, kishte përkrahur kërkesat e Demokratëve amerikanë për reforma në sistemin shëndetësor, në sektorin e energjisë dhe në kontrollimin e armëve nukleare.
Së fundi, Engeli – për dallim nga partia e tij – kishte qenë në favor që Jerusalemi të njihej si kryeqytet i Izraelit, një gjë të cilën e realizoi presidenti amerikan Donald Trump.

