Vijon sherri për rrugën Vlorë-Orikum, presidenca thirrje Denajt: Sill letrat saktë, po vononi investimin

Vijon sherri qeveri-Presidencë për projektin e rrugës Vlorë-Orikum.
Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Edmond Panariti ka vijuar replikat me ministren e Financave, ndërsa thekson se Denaj kishte 3 muaj kohë të reflektonte pasi Meta e ka vënë në dijeni për shkeljet. Panariti i kërkoi ministres që të përmbushë detyrimet dhe të mos krijojë asnjë vonesë për investimet në Vlorë, ndërsa shtoi se atëherë presidenti brenda ditës do të shqyrtojë dokumentacionin.
“ Pyetja që shtrohet është, pse kërkohet të rinënshkruhet një marrëveshje e mëparshme, nëse bëhet fjalë për një rialokim fondesh. Si mund të cilësohet e njëjta marrëveshje, kur marrëveshja ëshë zgjidhur me kërkesë të qeverisë me ligj të posaçëm.Nëse nuk arrin që të kuptojë ku qëndron antikushtetushmëria, Presidenti me shkresat e dërguara i ka kujtuar nevojën e përmbushjes së detyrimeve ligjore që prej muajit shtator, kishte tre muaj kohë që të përmbushte mangësitë, por zgjodhi të vazhdojë në shkelje. Asnjëherë nuk është vonë. I bëjmë thirrje të përmbushë detyrimet dhe të mos krijojë asnjë vonesë për investimet në Vlorë. Të paraqesë dokumentacionin te presidenti sikur e kërkon ligji, presidenti brenda ditës do ta shqyrtojë. Presidenti nuk gabon” tha ai.
Ministrja Anila Denaj tha sot se nuk ka pasur negociata për marrëveshjen me fondin saudit pasi nuk bëhej fjalë për hua të re, por për një hua të negociuar më parë. Ministrja shtoi se një pjesë e huasë është rialokuar nga një objekt në tjetër, brenda të njëjtës zonë gjeografike, ndërsa tha se janë respektuar të gjitha proceduat dhe nuk ka shkelje të Kushtetutës.