Albin Kurtit nuk i lejohet të kandidojë për deputet, por mund të jetë kryeministër

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën, nuk do të ketë të drejtë të garojë për deputet në zgjedhjet e reja, tha ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.
Duke folur për Radion Evropa e lirë, Hasani tha se aktgjykimi e ka qartësuar se të gjithë personat e dënuar me gjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë dhe të marrin mandat nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.
Megjithatë, ai shtoi se Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i fiton zgjedhjet.
“Ajo nuk ka lidhje (me kandidimin për deputet). Mundet, Gjykata nuk e ka ndaluar këtë (nominimin për kryeministër)”, tha Hasani.