A po negocion krizën turko-greke? Rama pas takimit me Erdogan, drekë pune me Micotaqis

Kryeministri Rama do jetë ditën e nesërme për një vizitë zyrtare në Athinë. Mediat greke bëjnë të ditur se Rama do të mbërrijë nesër në Athinë për t’u takuar me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm grek.
Kryeministri do të mbërrij nesër në orën 11:30 në Greqi, dhe në vazhdim do të zhvillojë një takim “kokë më kokë” me ministrin e jashtëm, Nikos Dendias.
Në vazhdim do të drekojë në kryeministrin Micotaqis (Mitsotakis) dhe do të largohet rreth orës 15:30 nga Greqia.
Kjo vizitë e paralajmëruar vjen menjëherë pas vizitës së tij në Stamboll ku u prit me ceremoni që tërhoqi vëmendjen. Pak ditë para udhëtimit në Turqi, Rama bisedoi në telefon me ministrin e jashtëm grek. Të dyja vizitat po zhvillohen edhe në kontekst të tensioneve dhe diskutimeve që kanë të bëjnë me zgjerimin 12 milje të Greqisë në det dhe marrëdhënies së tensionuar greko-turke.
Ndërsa prej ditësh ka pasur aludime nga mediat se Rama mund të jetë edhe si një negociator për krizën mes Turqisë dhe Greqisë. Këtë tezë e mbështeti edhe analisti Baton Haxhiu, i cili njihet person i afërt i kryeministrit shqiptar.
“Një vizitë e Ramës është parashikuar në Athinë të premten. Kam një bindje që një marrëdhënie e tillë e shpejtë, e shpeshtë Stamboll -Athinë mund të sjellë një rezultat diplomatik që mund të jetë i rrallë. Unë mendoj që ka diçka tjetër. Është një negociatë për disa muaj, mos të them më shumë se 5-6 dhe një përpjekje e një shteti të vogël për të pajtuar dy shtete të mëdha”, tha Haxhiu në emisionin Opinion. Ndërsa mediat greke janë të bindur se Rama në takimin me Erdogan ka biseduar për çështjen e 12 miljeve detare, ndarjen e detit territorial mes Greqisë dhe Shqipërisë.