Reshjet e dëborës e shiut përfshijnë vendin, ARRSH: Ja situata e rrugëve, shoferët të kenë kujdes…

Vendi është përfshirë nga moti i keq, me reshje dëbore e shiu, që kanë sjellë probleme në disa qytete në vend. Autoriteti Rrugor bën me dije se në veri, ku ka patur reshje dëbore, rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon pa problem.
Në segmentin Fushë Arrëz-Kukës dhe Kalimash-Fushë Dukagjin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh në trup të rrugës, është ndërhyrë menjëherë nga kompania e mirëmbajtjes dhe po punohet akoma qarkullimi vazhdon normalisht.
Në jug ka pasur reshje shiu me intesitet mesatar, ku për pasojë kanë rënë gurësh në aksin Berat-Çorovodë dhe Patos-Ballsh. Pas ndërhyrjes, qarkullimi në këtë aks vijon pa problem.
Ndërkohë, në segmentin Qukës-Pishkash ka prurje të aluvioneve vazhdimisht. Po punohet për pastrimin e plotë të rrugës me mjete e punëtorë.
ARRSH bën apel për drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën.