‘Mikpritje e shkëlqyer…’/ Rama jep detaje për vizitën në Greqi, çfarë bisedoi me homologun e tij grek Mitsotakis

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje nga vizita e tij në Greqi dhe takimi që zhvilloi sot me homologun e tij grek Mitsotakis.
Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë shqiptare shprehu falënderime në lidhje me mikpritjen e homologut grek, e cila i ka lënë një shije të shkëlqyer.
Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se në fokus të bisedës së tyre ishte situata me Covidin apo dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike”, shkruan Rama.
Gjithsesi, në mesazhin e tij të shkurtër, kreu i qeverisë nuk jep informacion mbi diskutimet që mund të jenë bërë për ndarjen e detit, ku Greqia ka shpalosur planin e saj për zgjerim me 12 milje./ Gazeta SHQIP