Topalli: Vendi drejtohet nga 3 të korruptuar, koha që t’i largojmë, opozita nuk përfaqëson më qytetarët

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i japin fund politikës së të korruptuarve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Topalli u shpreh se një nga problemet kryesore në vend mbetet braktisja e vendit nga të rinjtë dhe intelektualët.
Ajo u shpreh se kjo vjen për shkak të 3 politikanëve të korruptuar që ka vendi. Topalli deklaroi se synimi i partisë së saj është mos largimi i qytetarëve nga vendi. “Sot është imperative nevoja për ndryshim! Boshatisja e vendit është dramë kombëtare. Ikin të rinjtë, ikin intelektualët. Njerëzit nuk besojnë më në politikë. Njerëzit duan një shtet që nuk vjedh qytetarët e vet, një shtet që nuk mbron hajdutët, një shtet që menaxhon mirë lekët që vijnë nga vjelja e taksave. Lëvizja për Ndryshim synon një shtet që mbron qytetarët e tij e që i bashkon.
Ne duam që njerëzit të mos ikin nga vendi. Ne nuk duam një Shqipëri të braktisur nga të rinjtë dhe njerëzit e arsimuar. Ne synojmë që një politike e re t’i rivendos shqiptarët në zemër të jetës politike të vendit. Ndërkohë sot, për shkak të 3 kryetareve të korruptuar, Shqipërisë po i ikin edhe intelektualët”, tha ajo. Topalli u shpreh se vota e qytetarëve duhet t’i largojë politikanët e korruptuar pasi ata janë përgjegjësit kryesorë. Ajo vijoi me tej duke thënë se sipas OECD Shqipëria renditet tek vendet me rritje të emigracionit, një fenomen sipas saj që prek vendet e varfra.
“Ne duhet të largojmë 3 kryetarët e korruptuar. Ata janë përgjegjësit e zbrazjes së vendit! Sipas OECD: Shqipëria është e katërta në botë për rritjen e emigracionit të njerëzve të aftë! Emigracioni është një fenomen që prek vendet më të ardhura të ulëta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por të arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë. Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnja dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia Veriore prej 18%. Ne duam të ndryshojmë këtë realitet”, thekson ajo.
Topalli akuza opozitës
Ndër të tjera, kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli hodhi akuza në drejtim të opozitës se nuk përfaqëson më qytetarët dhe se sipas saj largimi po ndodh sepse qytetarët nuk besojnë më as tek qeveria. Ajo deklaroi se nuk besohet më as tek opozita qeveritare dhe as tek ajo jashtë parlamentare. “Por ata nuk ikin vetëm nga qeveria. Ata ikin se nuk shohin perspektivë dhe as shpresë. Ata nuk besojnë tek opozita formale. Opozita e qytetarëve nuk përfaqësohet as nga opozita parlamentare as nga ajo formale jashtëparlamentare. Demokracia në Shqipëri është thyer.
Dhe për këtë ka 3 përgjegjës kryesorë”, tha Topalli. Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli vijoi më tej duke thënë se politika e korruptuar në vend duhet të zëvendësohet nga ajo e shpresës. Ajo u shpreh se vendi ka nevojë për ndryshim duke bërë të mundur nxitjen e punësimit. Po ashtu Topalli theksoi se me anë të partisë së saj në vend do të rikthehet besimi tek politika.
“Të zëvendësojmë politiken cinike të 3 kryetarëve të korruptuar me politikën e shpresës. Të ndalim largimin e të rinjve. T’u japim mundësinë e punësimit dhe të ndërtimit të jetës në vendin e tyre. T’u kthejmë dinjitetin e vlerësimin intelektualëve. Ne duam të kthejmë besimin tek politika me politikanë të pakorruptuar, me të rinj të mirëarsimuar, me profesionistë të ndershëm, me integritet dhe me kompetenca”, tha ajo.