Votojnë për herë të parë, deri më tani regjistrohen 32 mijë emigrantë me të drejtë vote
Në zgjedhjet e 25 prillit do të votojnë për herë të parë edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në një raport të fundit thotë se deri më tani janë regjistruar 32 mijë emigrantë me të drejtë vote.
Në projektvendimin e fundit mbi “rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet e kuvendit” që ende është në konsultim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të detajuar se si emigrantët shqiptarë do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, emigrantët do të duhet të regjistrojnë adresën e banimit, që është edhe kriteri i parë për të votuar, me regjistrimin e adresës së banimit që mund të bëhet në portalin E-Albania.
Emigrantët duhet të pajisen edhe me dokumentacionin e votimit nga jashtë, ndaj parashikohet që KQZ të ngrejë një sistem teknologjik për të regjistruar kërkesat e tyre. Identifikimi i emigrantëve do të bëhet përmes të dhënave personale dhe familjare dhe përmes identifikimit me “Face ID”.
Regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit duhet të ndodhë deri në 2 muaj para zgjedhjeve, ndërsa lista e plotë e emigrantëve që do të votojnë do të bëhet publike 50 ditë para zgjedhjeve.