Gjendje alarmante në Vushtrri: 500 shtëpi të përmbytura nga vërshimet, kafshë të ngordhura e rrugë të pakalueshme

Në komunën e Vushtrrisë është vështirësuar gjendja nga vërshimet. Lumi Silnica ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive, ngordhje të kafshëve shtëpiake nga përmbytja e stallave, dëmtim të tokës bujqësore dhe pamundësi qarkullimi në shumë fshatra dhe pjesë të qytetit si pasojë e rrugëve dhe urave të pakalueshme.

Në Vushtrri rreth 500 familje dhe shtëpi janë prekur nga vërshimet, ndërsa deri tani me ndihmën e FSK-së, zjarrfikësve dhe ekipeve të tjera, janë evakuuar rreth 100 familje, raporton “Zeri.info”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media kryetari i Komunës Xhafer Tahiri ka folur për dëmet që kanë shkaktuar vërshimet.

“Si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, lumi Silnica ka dalë nga shtrati, janë përmbytur me qindra hektarë tokë, ndërkohë në qytet kemi pasur 500 familje që janë prekur nga vërshimet dhe kemi pasur përmbytje të shtëpive në fshatrat Pestovë, Nedagovc, Prelluzhë dhe fshatrat tjerë përgjatë lumit Silnica”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se për fat të mirë nuk ka pasur asnjë viktimë, ndërkohë ekipet emergjente, FSK-ja dhe shoqata tjera, sipas tij, kanë ndihmuar në evakuim.

“Janë evakuuar afër 100 familje me ndihmën e FSK-së, zjarrfikësve dhe shoqatave vullnetare”.

Tahiri ka folur edhe për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, vendim ky që është marrë të hënën. Ai ka thënë se dëmet më të mëdha janë në ekonomi familjare, ndërsa përmendi një fermë, ku kanë ngordhur 120 dele.

“Duke e ditur që lumi Silnica mund të rritet, ne kemi shpallur gjendje të emergjencës civile, duke njoftuar që banorët të jenë në gjendje të gatishmërie dhe që dëmi të jetë më i vogël nga vërshimet. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në ekonomi, bujqësi dhe ekonomi familjare, janë përmbytur disa ferma ku në një fermë, janë mbytur 120 dele për shkak se pronarët nuk kanë arritur të largojnë bagëtitë”, tha Tahiri, duke shtuar se është formuar edhe grupi që do të bëjë vlerësimin e dëmeve për ta dërguar më pas në Qeverinë e Kosovës për të kompensuar qytetarët e prekur. /Zëri

Gjendje alarmante në Vushtrri: 500 shtëpi të përmbytura nga

Back to top button
LAJMET E FUNDIT