Skandali te “Shefqet Ndroqi”, reagon Pipero: S’na nderon, por as i njollos bluzat e bardha

Skandali me sanitaren që u hoq si infermiere, për mjekun Pëllumb Pipero nuk nderon bluzat e bardha, por kurrsesi nuk e njollos këtë uniformë.
“I shëmtuar dhe i neveritshëm”, janë këto fjalët që Pipero e përkufizon si rast, teksa thotë se drejtësia duhet të bëjë punën.
“Është një ngjarje që nuk na nderon, edhe pse është sanitare është bluzë e bardhë, por gjithsesi mbetet një rast i veçuar, i shëmtuar që duhet dënuar, i neveritshëm, mënyra sesi është sjellë si ka vepruar e mashtruar, le të shpresojmë që Prokuroria do të tregohet profesionale, ta hetojë çështjen, të shikojë nëse ka dhe implikime të tjera. Të jemi pjesë e qytetarit për ta denoncuar një rast i tillë. Besoj që është një rast i vetmuar, që nuk i njollos bluzat e bardha, bluzat e bardha nuk i ngjan asaj bluze që vetëm e bardë nuk quhet”, thotë ai gjatë një interviste.
Pipero është një ndër 4 personat e parë që bëri vaksinën anti-COVID, pas profesoreshë Najada Çomos, kryeministrit Edi Rama dhe mjekut Tritan Kalo. Ai thotë se deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim.
“Jam i qetë, nuk kam pasur shqetësime të rëndësishme i vetmi shqetësim është një dhimbje e lehtë te vendi i aplikimit, por kjo është normale, nuk kam pasur asnjë lloj shqetësimi, të paktën deri tani”, rrëfen Pipero.
Në 10 muaj përballë me COVID-19, mjeku Pëllumb Pipero, një nga figurat më personifikuese të kësaj lufte, zbulon çfarë e ka lodhur më shumë.
“Një lodhje e madhe, është më shumë se kaq, se është një stres i madh, është më shumë se kaq, nuk na lodh vetëm komunikimi me pacientët, më shumë na lodh sinqerisht komunikimi përmes telefonit, se një pjesë e madhe e qytetarëve kërkojnë ndihmë në kushte shtëpie, dhe numri i tyre është relativisht i madh dhe është një lodhje e madhe dhe një stres më vete se duke mos e pasur pacientit ballë përballë, apo analizat në dorë ne komunikojmë virtualisht dhe ka një lloj pasigurie nga ana jonë”, tregon ai.
Sa i përket situatës së COVID në vendit tonë, ai thotë se gjendja paraqitet më e qetë.
“Situata është më e qetë, vëmë re se numri i shtrimeve, pavarësisht numrave që dalin pozitiv, është i vogël, por gjithsesi vazhdon të kemi raste të rënda dhe me probleme”, tha Pipero.