Basha ‘godet’ edhe Berishën: Do jem kryeministri i parë me botëkuptim perëndimor, s’kam lidhje me komunizmin

Lulzim Basha tha se me të në krye të qeverisë Shqipëria do të ketë jo vetëm kryeministrin e parë që nuk është rritur dhe edukuar në komunizëm, por dhe ekipin me më shumë integritet në 30 vite.
Duke folur në emisionin “Opinion” kryedemokrati tha se ka botëkuptim perendimor.
“Nuk do të keni vetëm kryeministrin e parë që nuk është rritur dhe edukuar në komunizëm, por ka një botëkuptim perëndimor, por do të keni edhe ekipin me më shumë integritet në këto 30 vite.”
Gjithsesi, duhet nënvizuar se kryeministri që kishte një lidhje direkt me komunizmin, është ish-lideri i Lulzim Bashës, Sali Berisha.
Basha u shpreh se nëse del fitues në zgjedhjet e 25 Prillit, një nga masat e para që do të marrë është taksimi 9%. Sipas tij, ky taksim ka si qëllim të krijojë një shtresë të mesme shqiptarësh të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, garante të demokracisë dhe institucioneve të pakapura nga politika.
“Fole për taksat, padiskutim, ju e dini fare mirë që sa i përket taksave ne sjellim propozimin e taksimit të sheshtë 9 përqind, i cili do të prekë disa nga fushat kryesore të ekonomisë, duke përfshirë profesionistët që janë të parët të goditur. Taksimi 9 përqind është pjesë e një plani të tërë, që ka një synim objektiv, ndër më kryesorët të programit tonë, të rrisë dhe të forcojë një shtresë të mesme shqiptare, të pavarur financiarisht, të pavarur intelektualisht, që nuk është në mëshirën as të PD nesër në pushtet, at të atyre që do të vijnë pas nesh. Një shtresë të mesme, garante të demokracisë, një shtresë të mesme garante dhe të interesuar në institucionet e pakapura nga politika. Një politikë pa fytyrë njerëzore, që kap institucionet është arsyeja kryesore e batakut ekonomik ku kemi rënë.”, tha Basha.