Gjykata e Lartë kalon për gjykim çështjen ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës

Gjykata e Lartë ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, dhe ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Megjithatë, nuk dihet ende se kur do të nisë procesi, pasi çështja në fjalë kërkon 5 gjyqtarë për t’u shqyrtuar, ndërkohë që Gjykata e Lartë funksionon me vetëm 3 gjyqtarë.
Ish-ministri i Brendshëm u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj”.
Në shtator të vitit të shkuar, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dënoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri me 5 vite burg, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me 1/3 dhe u caktua 3 vite e 4 muaj burg, që gjykata më pas e konvertoi në 3 vite shërbim prove.
Ndërsa Jaeld Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.