Moscertifikimi i kandidatëve për deputetë/ Paralajmërimi i Vjosa Osmanit: S’do toleroj të abuzohet me KQZ-në!
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve “u veprua me agjenda politike të cilat kanë lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, gjë që nuk do të tolerohet nëse do të ndodh sërish”.
Osmani, me një shënim në facebook, thotë se në rast se një situatë e tillë përsëritet, do të detyrohet të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe procesit zgjedhor.
Moscertifikimin e kandidatëve për deputetë, ajo e konsideroi “të pa precedent, të pa hijshme dhe të pa tolerueshme.”
“Para syve të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në transmetim të drejtpërdrejt në televizion, dje u bë presion marramendës ndaj zyrës për regjistrimin e partive politike dhe certifikim, si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion dhe kërcënime ndaj udhëheqësit të kësaj zyre e cila vepron si e pavarur politikisht dhe rekomandimet e së cilës i drejtohen KQZ-së për vendime kolegjiale……Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por e kemi detyrë që me çdo kusht ta shpejtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të bimë në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet e të stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të votojnë për këdo që ata e përkrahin“, tha ajo.