Vuçiq: Unë qesh me idenë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Duke folur për Kosovën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia përballet me presion të madh nga Perëndimi për të njohur Kosovën.
“Lajmi i keq është se forcat që janë në favor të një Shqipërie të Madhe do të fitojnë në zgjedhjet e Kosovës dhe pa dyshim që do të insistojnë në bashkimin me Shqipërinë, por këtu nuk ka asnjë rrezik, unë qesh me këtë”, ka pretenduar Vuçiq.
“Ata do të fillojnë të na shantazhojnë me një Shqipëri të Madhe dhe do të vijnë me idenë e një kompromisi që ne ta njohim Kosovën në shkëmbim të kësaj. Do të vijnë edhe të huajt, kjo është ajo që mua më brengos”, ka thënë Vuçiq.
Kjo është arsyeja pse detyra kryesore e Serbisë do të jetë: “Të mundohemi ta stabilizojmë Listën Serbe, ta ruajmë forcën e saj”.
Lidhur me deklaratën e fundit të Haradinajt se ai do të kërkojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përmes një referendumi në vitin 2025 nëse deri atëherë Kosova nuk bën përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Vuçiq pretendon se “kjo është hera e parë që ai flet për Shqipërinë e Madhe në një mënyrë të tillë, dhe se ai është “një njeri i rrezikshëm”, duke shtuar se pas zgjedhjeve, Kurti do të ketë nevojë për një parti shqiptare për qeverisje, dhe se Haradinaj po bën presion që të bëhet president i Kosovës”.