Zyrtare: Qeveria konfirmon koordinimin për të lëshuar pe ndaj presionit amerikan

Qeveria e konfirmon zyrtarisht se partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon në çështjen e taksës. E kjo, siç raportoi Metro, vjen pas thirrjes telefonike të shumëpritur nga Shtëpia e Bardhë, që siç mësohet, ka shkuar keq dhe me tone të rënda, transmeton Gazeta Metro.

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

Veç kësaj në këtë takim u diskutua edhe për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura.

”Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Megjithkëtë, Gazeta Metro mëson se java e ardhshme, do të jetë fundi i imponimeve tarifore ndaj Serbisë dhe kjo përgjegjësi do t’i ngarkojë të gjithë partnerët e koalicionit, dhe jo vetëm Haradinaj, bënë të ditur burimi i Metros, brenda koalicionit.

‘Liderët do të takohen edhe nesër dhe taksa të pritet të pezullohet, më së largu javën e ardhshme’, bëjnë të ditur burime të Gazetës Metro brenda koalicionit qeveritar.

Ndërkohë, të njëjtat burimet tregojnë për Metron se në telefon me kryeministrin Haradinaj, ka folur personalisht këshilltar Nacional për Siguri i Presidentit Donald Trump, John Bolton./gazetametro.net/ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT