Njihuni me Julin, aventurierin shqiptar që shëtit botën duke bërë autostop: Njerëzit stresohen me gjëra koti

Një personazh i veçantë ishte i ftuar sot në studion e “Ftesë në 5” në Top Channel me Bieta Sulon.
Juli është shqiptari që ka shëtitur në shumë vende të botës duke ecur ose bërë autostop.
Ai shprehet se nuk i pëlqen që të bëjë një punë 8 orë i mbyllur në zyrë dhe se dëshira e tij tani është të blejë një rrulo.
“Nuk i kuptoj njerëzit që mbarojnë një shkollë, futen në një zyrë aty punojnë 8 orë e pastaj thonë s’më pëlqen ajo që bëj.
Futet ai në zyrë, dhe fillon me dhimbje shpine, me stres e me gjëra, pse të punoj për botën diçka që s’e dua kur mund të bëj atë që dua me pak lekë.
Se njerëzit thonë jo po duhen 3 mijë euro për të shkuar këtu, e atje, jo mor jo, me pak lekë mund të kënaqesh.
Unë aventurën time e kam nisur që 20 vjeç, isha në shkollë të lartë, s’po më shtyhej fare, e lashë ika, dhe fillova të udhëtoj botën.
Edhe Shqipërinë e kam bërë të gjithën në këmbë, tani dua të ble një rrulo që ta shëtis më mirë vendin tim,” tha Juli.